Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Kombëtare për Persona të Zhdukur, ka deklaruar se personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës janë plagë të hapura, të cilat nuk mbyllen pa zbardhjen e drejtësisë.
Osmani ka thënë se në Kosovë “liria do ketë kuptim kur të rikthehen të gjithë njerëzit dhe të ketë drejtësi”.
“Sot e gjithë Republika e Kosovës bashkëndjen me familjarët e 1.600 të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Fati i Kosovës është i lidhur drejtpërdrejt me fatin e 1.600 familjarëve tanë. Kjo asnjëherë s’do jetë barrë e tyre, s’është e familjeve, është e jona, janë njerëzit janë, janë të të gjithë Kosovës, edhe barrën e kemi të përbashkët”, ka deklaruar ajo.
Presidentja ka potencuar se do bëjnë çmos për të siguruar drejtësi ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Ua rikujtojmë aleatëve, për Kosovën s’ka gjë më të rëndësishme sesa zbardhja e fatit të zhdukurve me dhunë”.
Edhe
Haxhiu e Kurti kërkojnë sërish nga Serbia t’i hapë arkivat për të pagjeturit
Ndërsa, Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se Serbia është përgjegjëse për vuajtjet që i ka shkaktuar në Kosovë gjatë luftës.
“Kemi dalë për t’i nderuar të gjithë të zhdukurit me dhunë, meqë është obligim i çdo zyrtari jo vetëm t’i nderojë e respektojë, por të bëjmë çmos që drejtësia të ndodhë dhe të vjen në vend”, ka thënë ai.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se do angazhohen që të jenë afër familjarëve të të zhdukurve, duke u ndihmuar të sjellin drejtësi.
“Të zhdukurit me dhunë na mungojnë sidomos familjeve por jo vetëm atyre, i mungojnë shoqërisë e familjes. 22-vjetorin e masakrës së Mejës, është një dëshmi e gjenocidit në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
“Sa më shumë kohë që kalon, gjendja nuk fashitet a kalohet. E vërteta është përpjekur të varroset, nëse fusha, male, liqene, mirëpo ju e dini se ajo u rishfaq sepse s’mund të shtypet. Për hir të së ardhmes dhe historisë, duhet të bëhemi bashkë ta kërkojmë drejtësinë”, ka shtuar tutje Kurti.
Në përvjetorin e Masakrës së Mejës, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kryer homazhe te varrezat, duke thënë se plaga për të pagjeturit është e rëndë që rëndon mbi supe.
“Këtu pushojnë trupat e shqiptarëve, të të gjitha besimeve, shihet që lufta për çlirimin e Kosovës ka pasur qëllim lirinë tonë. Do qëndrojmë të bashkuar dhe të lirë. Të rënëve për liri u kemi borxh ta mbrojmë lirinë”, ka thënë Haradinaj.
Edhe
Kurti u kërkon ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni mbi Beogradin për çështjen e të zhdukurve
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 27 Prillin – Ditën e të Pagjeturve dhe 22 vjetorin e masakrës së Mejes.
“Pranvera e vitit 1999 ishte më e rënda në historinë e Kosovës. Ishte viti, kur Serbia filloi përpjekjet e fundit për ta zhbërë Kosovën dhe popullin e saj. Ajo kreu krime të tmerrshme kundër njerëzimit, masakroi qindra e mijëra shqiptarë, dogji shtëpi e shkolla dhe dëboi shumë shqiptarë nga vendi i tyre. Ne sot, kujtojmë masakrën e Mejes ku u vranë e masakruan 376 civilë shqiptarë, por njëkohësisht shënojmë 27 Prillin – Ditën e të Pagjeturve”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka shtuar se masakra e Mejes, 22 vjet më parë ishte ditë e dhimbjes, por edhe ditë e kthesës historike, ditë e cila e mobilizoi botën e civilizuar demokratike për t’u bërë pjesë e përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri.
“Sot, e 22 vjet shumë familjarëve nuk u përfundoj ankthi i pritjes për ndonjë lajm për më të dashurit e tyre e që ende nuk dinë se ku prehen. Institucionet e Kosovës duhet të angazhohen që ankthi i tyre të marrë fund, që sadopak t’iu zbutet dhimbja. Çështja e të pagjeturve mbetet ende plagë e hapur jo vetëm për familjarët, por për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë”, ka shkruar ai.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, tha se sot është ditë dhimbje dhe zie për Kosovën, meqë është dita e të pagjeturve. Ai pas homazheve në Mejë theksoi se gjithë martirët e rënë janë pjesë e një politike të shfarosjes.
"Lirinë që e gëzojmë sot, pavarësinë që e gëzojmë sot dhe shtetin sovran dhe të pavarur është një arritje dhe një ndërtesë politike, e cila është e ndërtuar mbi themelet e sakrificës së martirëve të Mejës dhe të martirëve dhe dëshmorëve kudo në Kosovë. Nuk ka pjesë të vitit e cila është më e vështirë dhe më e rëndë, jo vetëm për familjarët në Mejë por për çdo familje në Kosovë, por janë edhe muajt e krenarisë dhe çlirimit në Kosovë", shtoi ai.
Edhe
Udhëheqës shtetërorë kërkojnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë
Hoxhaj shtoi se Serbia ka përgjegjësi politike, morale dhe legale për masakrën në Mejë dhe për gjitha masakrat tjera në Kosovë.
Në vendin e quajtur “Reka”, ushtria jugosllave, policia dhe njësia paraushtarake serbe vranë më shumë se 370 civilë. 36 viktima ishin nën 18 vjeç. Ndërsa, 13 persona ende llogariten të zhdukur.