Dënimin e Fatmir Limajt e ka kërkuar prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, në rastin ku zëvendëskryeministri akuzohet për krime lufte, raporton KTV.
Në Gjykatën Themelore të Gjakovës, në këtë proces, janë dhënë fjalët përfundimtare, ku prokurorja Hajdari e pranoi para trupit gjykues se seancat nuk zbuluan urdhërdhënësit apo ekzekutuesit e Selman Binishit e Ramiz Hoxhës.
Por dëshmitarët, krerë të UÇK-së, sipas Hajdarit, treguan indiferencë ndaj rastit Bellanica, sikur bëri edhe Limaj, duke mos u marrë me rastin e vrasjes së civilëve.
Nuhi Binishi, vëllai i Selmanit, tregoi për aktivitetet e vëllait të tij, duke mohuar që ai të ketë bashkëpunuar ndonjëherë me shtetin serb.
Me një gjë të tillë u pajtua edhe i akuzuari Limaj, që tha se e kishte njohur mirë Binishin, por nuk u pajtua me prokuroren Hajdari.
Edhe
KTV sjell momentin kur Fatmir Limaj u shpall i lirë
Limaj tha se prokuroria nuk ka pasur prova nga fillimi i procesit, derisa ka mohuar të ketë pasur kontrollin në territorin ku u gjetën trupat e pajetë të Binishit dhe Hoxhës.
Sipas Tahir Rrecajt, prokuroria është dashur të vërtetojë identitetin e katër personave të maskuar, që dyshohet se janë autorët e vrasjes së Binishit dhe Hoxhës, për të ekzistuar përgjegjësia komanduese, derisa ka propozuar lirimin nga akuza të Limajt.
Aktgjykimin në këtë rast, për të cilin u ngrit aktakuza në vitin 2015, Gjykata Themelore e Gjakovës do ta shpallë këtë të premte.