Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Më 9 mars shpallet aktgjykimi për Limajn

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 9 mars, do të shpallë aktgjykimin për Fatmir Limajn për akuzat për krime lufte.

Në fjalën e fundit, vetë Limaj ka thënë se ka qenë i bindur në pafajësi që nga fillimi.

“Që nga fillimi kam qenë i bindur në pafajësi, pasi nuk kishte prova, por jam i bindur që edhe vetë prokuroria e ka ditur që nuk ka prova. Edhe nëse në shqyrtimin gjyqësor nuk kanë arritur të gjenden kryesit e veprës, dhe urdhërdhënësi, konsideroj se për familjet e dëmtuara ka qenë satisfakcion, për faktin që është vërtetuar se tendenca për t’i njollosur ka qenë e pasuksesshme”, ka thënë Limaj.


Mbrojtja kërkon lirimin e Limajt nga akuza për krime lufte

11:20 - Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, ka kundërshtuar qëndrimin e prokurores Drita Hajdari, e cila kërkoi që Fatmir Limaj të shpallet fajtor për krime lufte.

“Konsideroj se si në aktakuzë, ashtu edhe në fjalën përfundimtare, prokurorja i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive, duke i marrë për bazë vetëm ato pjesë të dëshmive apo provave të cilat ka besuar se shkojnë në favor të aktakuzës”, ka thënë Rrecaj.

Një gjë e tillë, sipas Rrecajt, është në kundërshtim me parimin e gjykimit të drejtë dhe me misionin e prokurorisë së shtetit.

Autorët e vrasjes, 4 persona të maskuar nuk dihen dhe nuk janë identifikuar si pjesëtarë të UÇK-së, ka shtuar Rrecaj.

“Askush nuk ka thënë se Limaj e ka ditur që do të ndodhë vrasja”, tha Rrecaj dhe e quajti spekulim fjalën e prokurores Hajdari.

“Prokuroria është dashur të vërtetojë identitetin e katër personave të maskuar, autorë të vrasjes, për të ekzistuar përgjegjësia komanduese”, ka shtuar ai.

Rrecaj ka propozuar lirimin nga akuza në mungesë të provave. Sipas tij, nuk është dëshmuar se Limaj mund të jetë përgjegjës për këto vrasje.


Prokuroria kërkon dënimin e Limajt për krime lufte

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës është kërkuar dënimi i Fatmir Limajt për krime lufte.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Drita Hajdari ka thënë se Limaj nuk e ka përmbushur detyrën e tij të eprorit.

“Limaj nuk ndërmori asnjë veprim për parandalimin e krimit që ishte duke ndodhur. Ai nuk bëri asnjë veprim për zbulimin e autorëve të krimit”, ka thënë prokurorja Hajdari, duke iu referuar vrasjes së Selman Binishit e Ramiz Hoxhës.

Para se të vazhdojë mbrojtja e Limajt me fjalën përfundimtare, familjarët e viktimave aktualisht po japin fjalën e tyre.

{gallery}

Artikuj të ngjashëm