Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se deputetët e partisë së tij do të votojnë për kryeparlamentar vetëm ndonjë deputet që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.
Në deklaratën për media pasi Vetëvendosje dështoi ta zgjedhë kryeparlamentare Albulena Haxhiun apo Donika Gërvallën, Krasniqi ka thënë se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar.
“Neve na është pamundësuar votimi prej atëherë, por për fat të mirë morën fund sot pas aktgjykimit të Kushtetueses. Ne erdhëm sot me shpresën se Lëvizja Vetëvendosje do të rezonojë arsyeshëm dhe do të propozojë kandidat që do të votohej. Megjithatë, ata dolën me dy propozime ndryshe nga herët e kaluara kur kanë propozuar vetëm një. Nuk e di me çfarë logjike e mbylli Dehari seancën, kanë mundur t’i propozojnë edhe të tjerët sot. Megjithatë mund të themi se kemi një rikthim nga pika që nuk është dashur të largohemi asnjëherë”, ka thënë ai.
