Kuvendi i Kosovës mban sot (e mërkurë) vazhdimin e seancës konstituive të nisur në prill. Vazhdimi do të nisë në orën 11. Në rend dite do të jetë votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës. Është seanca e parë e ftuar pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka përcaktuar votim të hapur dhe që konstituimi të kryhet brenda 30 ditësh. E drejta e propozimit për kryeparlamentar i takon Lëvizjes Vetëvendosje. Gjithçka rreth kësaj seance, mund ta përcillni këtu

 

Dështon edhe votimi për Donika Gërvallën

1 min. më parë / 20 gus 2025 11:31
Donika Gërvalla në konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan

Photo: Alban Bujari

Ka dështuar të marrë shumicën edhe kandidatja Donika Gërvalla për kryetare të Kuvendit.

Ajo mori 57 vota për 56 kundër, tri abstenime.

Seanca e radhës do të mbahet më 22 gusht në orën 10.
 

VV-ja propozon Donika Gërvallën për kryeparlamentare

4 min. më parë / 20 gus 2025 11:28
Donika Gervalla

Photo: Driton Paçarada

Pas dështimit të votimit të Albulena Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar emrin e Donika Gërvallës për kryeparlamentare.

Ka qenë hera e parë që në legjislaturën e re, si propozim për kryeparlamentar ka qenë një emër tjetër, pos ai i Albulena Haxhiut.

 

S’ka vota për Haxhiun kryeparlamentare, as pas Aktgjykimit të Kushtetueses

5 min. më parë / 20 gus 2025 11:27
Albulena Haxhiu - 25 qershor

Photo: Driton Paçarada

Albulena Haxhiu ka dështuar për t’u bërë kryeparlamentare edhe në tentimin e parë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive. Të mërkurën, ajo mori 57 vota pro, ndërsa kundër votuan 56. Tre deputetët e Nismas abstenuan.

Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e publikoi Aktgjykimin për seancën konstituive. Sipas Aktgjykimit, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi.

Deri tash, kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosja ka qenë Albulena Haxhiu, e cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.

Haradinaj: S’kemi votë për Haxhiun, por po për tre të tjerë

44 min. më parë / 20 gus 2025 10:48
RAmush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para seancës së Kuvendit, ka thënë se partia e tij nuk ka votë për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por po për tre emra të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nëse sot do të ishte (Glauk) Konjufca, ose Saranda (Bogujevci) ose Shqipe Selimi, do të votonim”, ka thënë ai.

Kur u pyet se nëse nuk do të arrihet të konstituhohet Kuvendi as pas 30 ditësh ai tha se do të vërtetohet qëllimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Për fat të keq unë besoj që qëllimi i tij nuk ka ndryshuar, është të vazhdojë me mbajt peng Kosovën, me udhëheq me Kosovën pra në mënyrë jo të ligjshme. Me mbajt peng Kosovën”, u shpreh Haradinaj.

Deliu-Kodra: Do të votojmë kundër Albulena Haxhiut

49 min. më parë / 20 gus 2025 10:42
Blerta Deliu Kodra

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra ka thënë se përfaqësuesit publikë duhet të mësohen që aktgjykimet e tilla as të mos vihen në dilemë.

Ajo ka thënë se sot do të marrin pjesë në votim, duke paralajmëruar votë kundër Albulena Haxhiut.

Kosova është bllokuar që gjashtë muaj  për shkak të arrogancës dhe për mosrespektim të aktgjykimit të 26 qershorit.

“Kosova sot ka probleme shumëfish më të mëdha se a do të zgjidhet apo jo Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit. PDK-ja ka refuzuar të bëhet shkelëse e Kushtetutës. Ne do ta respektojmë aktgjykimin, do të votojmë kundër Albulena Haxhiut”,  ka thënë ai.

Nura i PDK-së: VV-ja ka pasur kohë të reflektojë

1 o. më parë / 20 gus 2025 10:24
Jakup Nura

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka thënë se situata rreth konstituimit të Kuvendit është qartësuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka theksuar se duhet të ketë votim të hapur dhe që gjithçka të mbyllet për 30 ditë e që një kandidat ka të drejtë të propozohet tri herë për votim.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje “ka pasur kohë të reflektojë për bllokimin që ka bërë”.

Nura ka shtuar para seancës së paraparë për orën 11 që pret që VV-ja të nxjerrë “figurë më unifikuese”.

Është shprehur optimist se procedurat tani do të jenë më të shpejta se që ishin deri tash.

Kuvendi mblidhet pas vendimit të Kushtetueses

2 o. më parë / 20 gus 2025 08:33
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës mban sot (e mërkurë) vazhdimin e seancës konstituive të nisur në prill. Vazhdimi do të nisë në orën 11. Në rend dite do të jetë votimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të organit ligjvënës.

Derisa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se nuk do të tërhiqet kandidatura e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, ata të partive oponentë kërkuan sjellje konform Aktgjykimit të Kushtetueses.

E presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar prej deputetëve përgjegjësi dhe e ka cilësuar urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve.

Seanca mbahet dy ditë pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive. Sipas Aktgjykimit, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi.

Deri tash, kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosja ka qenë Albulena Haxhiu, e cila në vazhdimet e seancës para se të kërkohej kalimi në votim të fshehtë, nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë pozitë.