Arbëri

Krasniqi: Partitë politike nuk merren me grupet e margjinalizuara pasi nuk sjellin vota

Kosovar Krasniqi nga “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” ka thënë se partitë politike nuk përmendin grupet e margjinalizuara gjatë fushatës zgjedhore pasi nuk u sjellin vota.

Sipas tij, Kosova ka nevojë urgjente të merret me të drejtat e njeriut.  

“Sot kemi zhvilluar një aksion nëpër selitë e partive politike me qëllimin me kthy fokusin e partive politike te të drejtat e njeriut. Ne kërkojmë të ndalohet femicidi, dhuna, diskriminimi gjinor e të tjera... këto të përfshihen në agjendën politike, të ketë fokus më të veçantë për këto komunitete dhe të ketë gjuhë respektuese në fushatë”, ka thënë Krasniqi në “60 Minuta” të KTV-së.

Krasniqi u shpreh se partitë politike nuk i trajtojnë fare të drejtat e njeriut e kjo, siç thotë ai, nuk i përfaqëson kërkesat e qytetarëve.

“Politikanët nuk kanë interes të merren me këto grupe të margjinalizuara pasi nuk sjellin vota. Nuk ka punë konkrete që ndalon femicidin dhe dhunën ndaj grave. Asnjë prej partive politike nuk kanë plan konkret për t’i avancuar të drejtat e njeriut”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka thënë se shkelje të të drejtave të njeriut ka më shumë te gratë e më pas në orientimin seksual.

“Fobia ndaj komunitetit LGBTI është shumë e madhe”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka përmendur komentet e deputetes Duda Balje për këtë komunitet, duke thënë se “personat që pritet t’i avancojnë të drejtat e njeriut, shprehin gjuhë të urrejtjes”.

“Është shumë shqetësuese që Kuvendi s’ka marrë masa e kjo ka reflektuar edhe te qytetarët”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi është optimist që Projetkodi Civil, që parasheh edhe martesat e gjinisë së njëjtë, do të kalojë në Kuvend gjatë legjislaturës së re.