Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se deputetët e partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë propozuar që të mblidhen një herë në javë në tentim për konstituim të Kuvendit, e jo të vazhdohet me seanca çdo 48 orë.
“E para, deputetët e partisë që doli e para në zgjedhje, nuk erdhën as me kohë. Erdhën 45 minuta me vonesë. Kur erdhën patën një kërkesë që në mënyrë të organizuar ta shkelim rregulloren. Kërkesa e tyre është në kundërshtim me rregulloren që thotë se të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi. Kërkuan të mblidhemi një herë në javë. E para është krejtësisht e papranueshme me bë kërkesë të tillë me shkelë deputetët rregulloren me vetëdije. E dyta vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë me tentu me bë zgjidhje me lëviz para, por thjeshtë këto repriza mos me u mbajt jo çdo dy ditë, por çdo javë”, tha Krasniqi.
Ai tha se mbetet te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, se kur do të dërgojë pyetje në Kushtetuese, nëse më herët nuk i drejtohet Kushtetueses ndonjë deputet.
Ai ka thënë se do të ishte më e udhës që Vetëvendosje ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit e të propozojë dikë të pranueshme e të procedohet me konstituim.
Krasniqi ka thënë se në rrethana aktuale “shteti është jonfuksional” dhe se çdo vonesë po e dëmton më tepër.
