As në përpjekjen e 17-të nuk është konstituar Kuvendi i Kosovës. Në seancën e mbajtur të shtunën, ngërçi vazhdon të mbetet te pika e formimit të një komisioni për votim të fshehtë. Sërish ky propozim i Lëvizjes Vetëvendosje nuk mori votat e mjaftueshme. Seanca e radhës do të mbahet të hënën në orën 10:30.
Kusari-Lila: Kërkesa për ndryshim të mbledhjeve s’është shkelje sepse nuk u realizua
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj akuzave për shkelje të Rregullores së Kuvendit, pas kërkesës së kryesuesit Avni Dehari që mbledhjet e deputetëve të mos mbahen çdo 48 orë, siç është përcaktuar aktualisht, por një herë në javë.
“Kjo nuk ishte shkelje, sepse nuk u realizua. Ishte vetëm një propozim për dakordim mes të gjitha partive”, ka thënë Kusari-Lila gjatë deklarimit të saj.
Sipas saj, kërkesa u bë në kuadër të konsultimeve në fillim të seancës, me qëllim shmangien e takimeve të shpeshta, të cilat – sipas saj – nuk po japin rezultate për shkak të qëndrimit bllokues të opozitës.
“Seanca filloi me konsultim që të ketë shmangie të Rregullores, të takohemi më rrallë, pasi 48-orëshi nuk po jep rezultat. Nga parafolësit u akuzuam për shkelje, por ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm”, sqaroi Kusari-Lila.
Ajo sërish e theksoi se partitë që ishin në opozitë po vazhdojnë të mbajnë pozicione bllokuese.
Bajrami: VV-ja e ka reduktuar mungesën e institucioneve në problem të mbledhjes çdo 48 orë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për mungesë serioziteti dhe vullneti në procesin e konstituimit të Kuvendit.
Ajo ka bërë të ditur se kryesuesi i seancës që vjen nga VV-ja, Avni Dehari, kërkoi para seancës së sotme që takimet për përpjekje rreth konstituimit të mbahen vetëm një herë në javë, dhe jo çdo 48 orë siç është përcaktuar në Rregullore.
“E shohim si indikacion shtesë që VV-ja nuk është absolutisht e interesuar ta bëjë konstituimin e Kuvendit”, deklaroi Bajrami, duke shtuar se i ka bërë të qartë Vetëvendosjes se mund të propozojë edhe 47 kandidatë të tjerë për kryetar kuvendi “për të parë se cili prej tyre i merr votat”.
Sipas saj, Vetëvendosje po e redukton mungesën e institucioneve – një krizë politike serioze – në një problem teknik të ritmit të takimeve.
“Ata mungesën e institucioneve e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë. Natyrisht që u refuzua një kërkesë e tillë”, theksoi ajo.
Bajrami u shpreh e zhgënjyer me faktin që vendi ka hyrë në një cikël bllokues, ndërsa partitë nuk po arrijnë të merren vesh për zgjidhje.
“Është fatkeqësi që jemi mbledhur për herë të 17-të”, ka thënë ajo.
Krasniqi: Në kundërshtim me rregulloren, u propozua të mblidhemi një herë në javë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se deputetët e partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë propozuar që të mblidhen një herë në javë në tentim për konstituim të Kuvendit, e jo të vazhdohet me seanca çdo 48 orë.
“E para, deputetët e partisë që doli e para në zgjedhje, nuk erdhën as me kohë. Erdhën 45 minuta me vonesë. Kur erdhën patën një kërkesë që në mënyrë të organizuar ta shkelim rregulloren. Kërkesa e tyre është në kundërshtim me rregulloren që thotë se të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi. Kërkuan të mblidhemi një herë në javë. E para është krejtësisht e papranueshme me bë kërkesë të tillë me shkelë deputetët rregulloren me vetëdije. E dyta vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë me tentu me bë zgjidhje me lëviz para, por thjeshtë këto repriza mos me u mbajt jo çdo dy ditë, por çdo javë”, tha Krasniqi.
Ai tha se mbetet te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, se kur do të dërgojë pyetje në Kushtetuese, nëse më herët nuk i drejtohet Kushtetueses ndonjë deputet.
Ai ka thënë se do të ishte më e udhës që Vetëvendosje ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit e të propozojë dikë të pranueshme e të procedohet me konstituim.
Krasniqi ka thënë se në rrethana aktuale “shteti është jonfuksional” dhe se çdo vonesë po e dëmton më tepër.
Kuvendi nuk konstituohet as pas përpjekjes së 17-të
Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar as pas përpjekjes së 17-të.
Të shtunën, formimi i komisionit për votim të fshehtë mori vetëm 53 vota për dhe një kundër.
Seanca e radhës do të mbahet të hënën në orën 10:30.
Në fillim të seancës, deputetët me një minutë heshtje nderuan veprimtarin Ukshin Hoti – i cili rezulton i zhdukur qe 26 vjet.
Basha ironizon kërkesat për ndërrim kandidati: Nuk ndërrohet lojtari se ashtu do kundërshtari
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka ironizuar kërkesat për ndërrim të kandidatit për kryetar të Kuvendit, duke përdorur analogji nga futbolli, raporton Ekonomia Online.
“Lojtari ndërrohet kur nuk performon mirë, jo sepse e kërkon ekipi kundërshtar. Ne nuk kemi arritur as ta fusim në fushë, e tani po kërkohet ndërrimi,” tha ai.
Basha theksoi se seanca do të vazhdojë dhe se Kushtetuesja ka përcaktuar qartë se kujt i takon posti.
“Po e përdorni analogjinë e ambasadorit Rohde, por ata që e kuptojnë futbollin, lojtari ndërrohet atëherë kur nuk performon mirë. Jo për shkak se ta kërkon ekipi kundërshtar. Çka është me rëndësi, që ne nuk kemi mundur ta mbërrijmë të fusim lojtarin në fushë, tani ju po thoni se duhet me ndërru sepse ekipi kundërshtar po kërkon me ndërruar lojtarin.
Tregom nëse trajneri i Gjermanisë e pyet trajnerin e Anglisë a me fut këtë lojtar në fushë apo jo, dhe me i thënë trajneri: ‘Ndërro se nuk po më pëlqen’,” ka thënë Basha.
Ai shtoi se Vetëvendosje ka ofruar alternativa dhe ka kërkuar bashkëpunim me LDK-në për të gjetur zgjidhje, ndërsa kritikoi ata që nuk marrin pjesë në votim, duke i quajtur bllokues.
“Seanca do të vazhdojë, Kushtetuesja e ka caktuar se kujt i takon. Këtu nuk ka garë për kompromis, për qeveri ka kompromise. Kemi dhënë alternativa të mjaftueshme, kemi shtrirë dorën LDK-së për të dhënë zgjidhje edhe Kuvendit edhe Qeverisë. Me LDK-në kishim mundur të bëjmë zgjidhje. Krejt çka mund të bëjmë është vetëm të votojmë. Ata që nuk marrin pjesë në votim janë bllokuesit.”
E deputeti i Listës Guxo, Nezir Kraki, në një deklaratë para seancës konstituive të Kuvendit, ka theksuar se kryeministri në detyrë Albin Kurti po tenton të konstituojë Kuvendin, por shtoi se këtë javë do të ndodhin ndryshime, raporton Ekonomia Online.“
Albin Kurti po mundohet, në të gjitha mënyrat, të konstituoj Kuvendin, por këtë javë do të lëvizë diçka”, ka deklaruar Kraki./EO
Balje: S’kam kurrfarë presioni, Vetëvendosje e di qëndrimin tim
Deputetja boshnjake Duda Balje ka deklaruar se nuk ndjen asnjë presion në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe se qëndrimi i saj është i qartë dhe i njohur për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Vetëvendosje e din qëndrimin tim. Kam përjetuar kohëra të vështira pas disa deklaratave, por kam dalë faqebardhë dhe qëndrimin nuk e ndryshoj”, ka theksuar Balje, duke iu referuar komenteve që qarkulluan për takime me akterë të Serbisë.
Ajo mohoi kategorikisht çdo mundësi për bashkëpunim me subjektet politike serbe.
“Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi me serbët. As nuk kemi pas presion, as ndonjë votë nga ana e tyre”, u shpreh Balje.
Duke folur për krizën institucionale dhe procesin e zgjedhjes së presidentit apo formimit të institucioneve të reja, Balje u shpreh se topi është ende në fushën e partive shqiptare.
“Partitë shqiptare duhet së pari të bëjnë marrëveshje mes vete. Presidentja ka lënë edhe një kohë shtesë, që ndoshta mund të arrihet ndonjë marrëveshje. Nëse jo, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Por nëse as Kushtetuesja nuk jep një përgjigje decizive, kriza do të vazhdojë – dhe kjo është shumë keq për shtetin e Kosovës”, paralajmëroi ajo.
Berisha thotë se është për konstituim të Kuvendit, por jo ndryshim të formës së votimit
Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka thënë se është shumë i interesuar që të fillojë funksionalizimi i institucioneve. Ai tha se në takim me presidenten Vjosa Osmani, u diskutuan për zgjidhje të problemit dhe u konsiderua se ka momentalisht mungesë të vullnetit politik.
“Po të kishte vullnet politik, do të zgjidhej çështja. Opsioni i fundit është me dërgu në Kushtetuese e me u dhënë interpretim për këtë situatë. Unë insistojë që partitë politike, ato kryesoret, të ulen e të bëjnë zgjidhje. Nuk është pengesa te komunitetet. Nëse s’ka vullnet, atëherë nuk duhet humbur kohë e të dërgohet në Kushtetuese. Unë jam me u bë konstituimi i Kuvendit e po presim për një marrëveshje me qeverinë”, tha Berisha para fillimit të seancës konstituive.
Ai ka thënë se nuk do ta përkrahë ndryshimin e formës së votimit për kandidatin për kryeparlamentar.
Musliu: Ata që ishin në Qeverinë Kurti 2 s’do ta marrin votën e PDK-së
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka deklaruar se gjendja po bëhet e padurueshme për shkak të “një personi i cili është i etur për pushtet, derisa ka arrit në shkalla më e lartë e degradimit të shtetit të Kosovës”.
Ajo para seancës së Kuvendit, tha se gjendja tanimë po bëhet e padurueshme dhe mediat, qytetarët, e opozita, duhet ta ngrenë zërin sepse heshtja e përgjithshme do të thotë pjesëmarrje në faj.
Sipas saj, shteti i Kosovës nuk e ka luksin që të tolerojë tutje një stagnim të tillë i cili e ka ngulfat Kosovës, qoftë në zhvillimin ekonomik, qoftë në marrëdhëniet ndërkombëtare..
“Nuk na ka borxh Kosova ne si politikan të sillemi në këtë formë, e them për partinë që e ka marrë besimin e shumicës së qytetarëve. Qytetarët nuk e meritojnë këtë trajtim nga një njeri që njëherë ka marrë 51 %, tani mbi 40 për qind dhe ai të sillet kështu. Ju jetoni këtu, po i shiheni çmimet çdo ditë duke u rritur, pagat janë nën çdo nivel, shtrenjtimi i rrymës po vazhdon, abuzimi me institucionet e vendit po vazhdon çdo ditë nuk ke pse del në rrugë të cilët ta mbushin mendjen që po bëjnë gara, bordet i kanë mbushur me militantë partiakë dhe kanë arritur në shkallën më të lartë të degradimit të shtetit të Kosovës.....asnjë kandidat i cili ka qenë në qeverinë Kurti 2 nuk do ta marrw votën e PDK-së”, tha ajo.
Ajo i bëri thirrje Albulena Haxhiut që të reflektojë dhe “të mos abuzohet nga një njeri që ka etje për pushtet”./KSP
Gashi: Nëse s'ka zgjidhje, shkojmë në zgjedhje
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se partisë së parë, këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, i takon të gjejë zgjidhje për ta tejkaluar ngërçin për konstituimin e Kuvendit.
“Konstituimi është detyrë kushtetuese, nga e cila lind e drejta kushtetuese. E drejta kushtetuese për këtë i takon LVV-së. LVV-ja e ka të drejtë kushtetuese ta propozojë kandidatin dhe të gjejë konsensusin. Sipas aktgjykimit të Kushtetueses të vitit 2014, vetëm partia e parë e ka mundësinë ta zgjedhë kryeparlamentarin dhe LVV-ja e ka obligimin të ofrojë dhe të gjejë zgjidhje”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, LDK-ja e ka dhënë idenë e qeverisë tranzicionale për ta kaluar krizën. Por nëse nuk ka zgjidhje, Gashi nuk përjashtoi shkuarjen në zgjedhjeve.