Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njëherësh deputet i kësaj partie, pas dështimit të vazhdimit të 54-t të seancës për konstituimin e Kuvendit, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti, për kryeneçësi më teë madhe sesa përgjegjësia e kërkuar.
Sipas tij, kjo kokëfortësi është edhe më e madhe se vetë shteti dhe demokracia.
“Sot ishte seanca e 54-t me radhë e tentimit për konstituim të Kosovës. Tashmë kemi vënë disa rekorde të zeza për konstituimin e Kuvendit, po kalon edhe afati 30-ditor i përcaktuar nga kushtetuesja për konstituimin e këtij institucioni madhor dhe përsëri asgjë nuk lëvizi. Asnjë tentim për zgjidhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët. Përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe sesa përgjegjësia e kërkuar. Më e madhe edhe se shteti e demokracia dhe për fat të keq Kosova sot po ecën në një tokë të panjohur, në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror. Në një zonë gri, ku shteti s’ka më busull e qytetarët s’kanë adresë të qartë”, ka thënë ai.
Krasniqi tutje ka thënë se kasta politike që ka qenë në pushtet deri më tash, do të shënohet në histori si kasta e turpit.
“Sot Kosova ka më pak miq në botë sesa dje. Një shtet pa institucione, pa miq, pa integrim, pa përfaqësim nuk është shtet funksional. Si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dëshiroj ta them publikisht se na vjen keq se qytetarët janë lodhur. Na vjen keq për stresin, pasigurinë e pamundësinë e përfaqësimit të plotë të qytetarëve si pasojë e kësaj bllokade, për çka e kemi marrë besimin në zgjedhjet e fundit. Kjo kastë politike që sot po e mban peng vendin pasi abuzoi mbi 4 vjet me të, do të shkojë në histori si kasta e turpit”, ka thënë ai.
