Tentativa e 54-t për konstituimin e Kuvendit, e mbajtur në orën 22:00, dështoi sërish. 103 deputetë ishin të pranishëm, por prapë nuk kaloi votimi për formimin e komisionit të fshehtë parlamentar për zgjedhjen e kryekuvendarit. Nga nesër hyn në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon deputetët të marrin çdo vendim apo ndërmarrin veprime pas kalimit të afatit 30-ditor për konstituim, të përcaktuar me aktgjykimin e 26 qershorit. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht. Gjatë kësaj periudhe pritet një vendim i Kushtetueses për ngërçin politik.

Edhe 40 minuta pas përfundimit të seancës, deputetët e ish-opozitës mbajnë fjalime në Kuvend

8 o. më parë / 26 kor 2025 23:34
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Edhe 40 minuta pasi përfundoi përpjekja e 54-t për konstituimin e Kuvendit dhe e fundit para hyrjes në fuqi të vendimit të Kushtetueses për masë të përkohshme që ua ndalon deputetëve të marrin vendime, deputetët e ish-opozitës po mbajnë fjalime brenda në Kuvend.

Fillimisht fjalën e morën kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Më pas fjalën e vazhdoi Ganimete Musliu e PDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së, Blerta Deliu-Kodra e PDK-së, Anton Quni i LDK-së e Eliza Hoxha e PDK-së. 

Cakolli: Zgjedhjet e reja të pashmangshme

8 o. më parë / 26 kor 2025 23:29
Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se siç duket zgjedhjet e reja janë të pashmangshme.

Cakolli tutje u shpreh se nuk e ka kuptuar nevojën për ta thirrur seancën e sontme kur nuk ka pasur zgjidhje, duke e cilësuar si “më farsën” nga të gjitha tentativat për konstituim që janë mbajtur prej 15 prillit.

“Sonte pamë në mënyrën më të turpshme përmbylljen e një farse me dhjetëra seanca të mbajtura që nga 15 prilli, veçanërisht ato të javëve të fundit që thirreshin vetëm për të bërë ‘tik’, pasi asnjë parti nuk bëri përpjekje reale. LVV-ja në njërën anë dhe partitë opozitare në tjetrën, nuk treguan vullnet të sinqertë”, ka thënë Cakolli.

Ai shtoi se seanca e fundit, që u mbyll para disa minutash, ishte edhe më e pakuptimtë.

“Ishte më shumë përpjekje për të krijuar përshtypje para qytetarëve sesa për të zgjidhur ngërçin. Nuk e kuptoj pse kishte nevojë të mblidheshin, kur ishte e qartë se me të njëjtat metoda nuk mund të kishte ndryshim rezultati”, shtoi ai.

Abdixhiku-Kurtit: Je uzurpator i institucioneve të shtetit me vendim të Supremes

8 o. më parë / 26 kor 2025 23:23
Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, derisa ka renditur disa nga çështjet që, sipas tij, duhet thënë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ky i fundit është uzurpator i institucioneve shtetërore me vendim të Gjykatës Supreme. 

Kjo pasi Abdixhiku ka thënë se ai bashkë me anëtarët tjerë të kabinetit qeveritar po e mbajnë edhe postin e deputetit, por edhe pozitat në Qeveri. 

“Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Abdixhiku në fjalimin e tij pas dështimit të 54-t të vazhdimit të seancës për konstituimin e Kuvendit.

Ai ka shtuar se refuzimi i bashkëpunimit me Kurtin është  një nga vendimet më kombëtare të partisë së tij.

"Unë besoj se në politikë jemi të gjithë kalimtarë. Lëmë shenja aty-këtu. Por e them me bindje se refuzimi për të bashkëpunuar me politikën që Albin Kurti sot përfaqëson është një nga vendimet më kombëtare që kemi marrë ne si LDK", është shpreur ai.

Abdixhiku ka shtuar se LDK-ja ka refuzuar bashkëpunimin sepse në përpjekjen e saj politike e ka më të rëndësishme përgjegjësinë shtetërore.

“E kemi refuzuar bashkëpunimin me të sepse në përpjekjen tonë politike ka diçka shumë më të shenjtë, ka diçka më me vlerë sesa pozitat tona individuale, i thonë përgjegjësi shtetërore. Përgjegjësi për të mos vazhduar e mos validuar një politikan që nuk e respekton Gjykatën Kushtetuese, që nuk e respekton Gjykatën Supreme, që nuk e respekton ligjin, Prokurorinë Speciale, ligjin e shtetin tonë. Nuk e respekton Republikën, vendin ku po plakemi ne e po i rrisim fëmijët tanë. Ky shtet, ligjet e tij, kushtetuta e tij, gjykatat e tij, duhet të respektohen siç respektohen ato ku Albin Kurti e rritë familjen e tij”, ka thënë ai.

Hyseni kritikon Abdixhikun: Bashkë me miqtë e tu, Kurtin e Osmanin, je pjesë e shtetrrënimit

8 o. më parë / 26 kor 2025 23:14
Skënder Hyseni

Skënder Hyseni

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe ish-zyrtari i LDK-së, Skënder Hyseni, ka kritikuar ndaj kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar se e solli në pushtet Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, kryeministrin në detyrë përkatësisht presidenten e Kosovës.

“Albin Kurtin dhe noteren e tij Vjosa Osmanin i solli në pushtet ky far Lumiri që i thotë vetes kryetar i LDK-së. Mos vajto ti çuni i LDK-së, por bëhu burrë, nëse je?! Dhe pranoje që je pjesë e shtetrrënimit, së bashku me miqtë e tu, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin”, shkroi Hyseni në Facebook pasi dështoi përpjekja e 54-t për konstituim dhe nga nesër pritet të hyjë në fuqi vendimi i Kushtetueses për masë të përkohshme.

Ai shtoi gjithashtu një kritikë për kryesuesin e seancës Avni Dehari, duke e ironizuar me fjalët: “As këtë të mjerin Avni Dehari nuk e solli askush aty ku e vetmja gjë që di është të thotë: ‘Ndalja telefonin, asi mikrofonin…’”.

Vendimi i Kushtetueses pritet deri më 8 gusht – kur përfundon afati i masës së përkohshme që u ndalon deputetëve të marrin vendime.

Krasniqi: Kryeneçësia e Kurtit më e madhe sesa vetë Kosova e demokracia

8 o. më parë / 26 kor 2025 23:00
Memli Krasniqi

Foto: Driton Paçarada

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njëherësh deputet i kësaj partie, pas dështimit të vazhdimit të 54-t të seancës për konstituimin e Kuvendit, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti, për kryeneçësi më teë madhe sesa përgjegjësia e kërkuar.

Sipas tij, kjo kokëfortësi është edhe më e madhe se vetë shteti dhe demokracia. 

“Sot ishte seanca e 54-t me radhë e tentimit për konstituim të Kosovës. Tashmë kemi vënë disa rekorde të zeza për konstituimin e Kuvendit, po kalon edhe afati 30-ditor i përcaktuar nga kushtetuesja për konstituimin e këtij institucioni madhor dhe përsëri asgjë nuk lëvizi. Asnjë tentim për zgjidhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët. Përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe sesa përgjegjësia e kërkuar. Më e madhe edhe se shteti e demokracia dhe për fat të keq Kosova sot po ecën në një tokë të panjohur, në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror. Në një zonë gri, ku shteti s’ka më busull e qytetarët s’kanë adresë të qartë”, ka thënë ai.

Krasniqi tutje ka thënë se kasta politike që ka qenë në pushtet deri më tash, do të shënohet në histori si kasta e turpit.

“Sot Kosova ka më pak miq në botë sesa dje. Një shtet pa institucione, pa miq, pa integrim, pa përfaqësim nuk është shtet funksional. Si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dëshiroj ta them publikisht se na vjen keq se qytetarët janë lodhur. Na vjen keq për stresin, pasigurinë e pamundësinë e përfaqësimit të plotë të qytetarëve si pasojë e kësaj bllokade, për çka e kemi marrë besimin në zgjedhjet e fundit. Kjo kastë politike që sot po e mban peng vendin pasi abuzoi mbi 4 vjet me të, do të shkojë në histori si kasta e turpit”, ka thënë ai.

Murati: U përpoqëm deri në orët e fundit të krijojmë institucionet

8 o. më parë / 26 kor 2025 22:58
Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se janë përpjekur deri në orët e fundit për të krijuar institucionet, fillimisht konstituimin e Kuvendit.

Por në hollin e Kuvendit, ai ka thënë se deputetët e ish-opozitës po refuzojnë të kryejnë obligimin kushtetues.

”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.

Limaj pret nga Kushtetuesja të ndihmojë në krijimin e institucioneve

9 o. më parë / 26 kor 2025 22:50
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se pas dështimit të marrëveshjeve politike për konstituimin e Kuvendit, tashmë pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij duhet të japë udhëzime të qarta për pasojat juridike dhe hapat e mëtejshëm.

“Nuk i shfrytëzuam marrëveshjet politike. Tani presim që Kushtetuesja të marrë vendimin për udhëzimet dhe pasojat juridike të këtij procesi. Ne kemi kontribuar për të ndihmuar në zhbllokim. Kjo tani është çështje e mbyllur dhe jemi në një realitet të ri”, ka thënë Limaj pasi dështoi përpjekja e 54-t për konstituim.

Ai shtoi se pret që Gjykata Kushtetuese të marrë parasysh interesin publik e shtetëror dhe të ndihmojë që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria.

“Jam i bindur se Kushtetuesja do të udhëzojë legjislativin që të mos përsëritet kjo situatë dhe të zgjidhet një herë e mirë çështja e konstituimit”, deklaroi Limaj.

Vendimi i Kushtetueses pritet deri më 8 gusht – kur përfundon afati i masës së përkohshme që u ndalon deputetëve të marrin vendime.

Dehari: Ndërpriten seancat deri në një vendim të Kushtetueses

9 o. më parë / 26 kor 2025 22:44
Avni Dehari

Avni Dehari

Photo: Driton Paçarada

Kryesusi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka thënë se ka bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur zgjidhje brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtuesja në aktgjykimin e 26 qershorit.

Ai ka thënë se meqë s’ka zgjidhje, seancat do të ndërpriten deri në një vendim të Kushtetueses.

“Deri në një vendim tjetër apo vendim përfundimtar të Kushtetueses, do ta ndërpresë seancën”, u shpreh Dehari.

Çitaku e Bajrami përplasen me deputetet e Vetëvendosjes

9 o. më parë / 26 kor 2025 22:40
Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku dhe ajo e LDK-së, Hykmete Bajrami, janë përplasur me kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari e deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje teksa iu dha fjala për propozim të një anëtari për formimin e komisionit për votim të fshehtë.

Çitaku nisi me kritika dhe Dehari kërkoi t’i ndalej fjala. Ajo i bënte thirrje Deharit të mos shkelë Kushtetutën.

Njëjtë veproi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Më pas, Bajrami pati debat të ashpër me deputetë të Vetëvendosjes. Dëgjohej duke thënë “jeni frikacakë”.

Haradinaj: Më shumë po e shoh që do të kemi zgjedhje sesa zgjidhje

9 o. më parë / 26 kor 2025 22:21
Daut Haradinaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se janë të gatshëm për çdo lloj kompromisi, me qëllim që të dalin nga ngërci politik. 

Në fjalën e tij para fillimit të seancës, Haradinaj ka thënë se më shumë po duket se do të ketë zgjedhje sesa zgjidhje.

“Jemi të gatshëm për çdo lloj kompromisi, vetëm që të dalim nga kjo situatë. E vetmja kërkesë ka qenë që të hapet votimi dhe të ndryshohet kandidatja. Më shumë po e shoh që do të kemi zgjedhje sesa një zgjidhje”, ka thënë ai. 

Limaj: Fatkeqësisht nuk ka marrëveshje

9 o. më parë / 26 kor 2025 22:08
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se edhe në seancën e sontme nuk pritet të ketë rezultat tjetër, pasi nuk ka marrëveshje të tij me kryertarin e LVV-së, Albin Kurti.

“Fatkeqësisht nuk ka marrëveshje”, u shpreh Limaj, duke shtuar se tani duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa për takimin me presidenten Vjosa Osmani pas përpjekjes së 53-të, ai ka thënë se nuk ndodhi asgjë.

“Me presidenten kemi pasur takim dhe thjesht kemi shkëmbyer mendimet pas seancës. Presidentja u interesua për zhvillimet, nuk ka asgjë më tepër”, ka thënë ai.

“S’po mund të shkëputen nga koalicioni i 20-vjeçarit”, çka po paralajmëron Manxhuka

9 o. më parë / 26 kor 2025 22:02
Arlind Manxhuka

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë thënë se disa parti opozitare ende nuk po arrijnë të dalin nga “koalicioni i 20-vjeçarit” dhe po tentojnë ta kthejnë vendin në periudhën para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, pak para se të nisë përpjekja e 54-t për konstituim në orën 22:00.

Ai ka shkruar se LVV-së dhe Albin Kurtit i duhen votat, por jo me çdo kusht – duke lënë të kuptohet se ka pak shpresa për konstituim sonte.

“Nyja politike apo sharra në gozhdë sot është te pikëprerja para dhe pas 14 shkurtit 2021. Një krah që do me u kthy para asaj dhe një që do të vazhdojë përpara me reforma. Lëvizjes VETËVENDOSJE! e Albin Kurtit i duhen votat, por jo me çdo kusht dhe jo nga e me bindjen e ndokujt që i duket se ‘i erdhi dita’. Lëvizja VETËVENDOSJE! është fituese absolute e zgjedhjeve dhe si e tillë u ka bërë ftesë disa prej subjekteve parlamentare opozitare për qeverisje. Siç duket ata nuk mund të shkëputen nga koalicioni i 20 vjeçarit, prandaj edhe kërkojnë rikthimin para 14 shkurtit 2021.”, ka thënë ai.

Manxhuka shtoi se qytetarët kanë votuar Vetëvendosjen edhe duke ndëshkuar atë periudhë qeverisëse.

“Ne as nuk duhet, as nuk duam të bëhemi si ai 20-vjeçar, sepse Republika e Kosovës nuk do të kthehet atje ku ishte”, ka shtuar ai.

Berisha: S’duhet të jem vetëm unë i përgjegjshëm

10 o. më parë / 26 kor 2025 21:51
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka deklaruar se nuk mund të bëhet vetëm ai i përgjegjshëm për të mundësuar konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se situata është bërë “e bajatshme” dhe mund të zgjidhet nga kryeministri Albin Kurti nëse ka vullnet politik.

“Votën e kam treguar qysh e jap, me votim të hapur, ashtu si edhe shumë deputetë të tjerë. Nuk lejoj të keqpërdoret as sinqeriteti im, as vota ime. Nuk duhet të jem vetëm unë i përgjegjshëm. Duhet të reflektohet. Ky problem mund të zgjidhet nga Albin Kurti që tash, por ai nuk po do”, ka thënë Berisha.

Ai shtoi se nuk ka kërkuar asnjë përfitim personal dhe se vendimi i tij që të votojë pro çdo kanditati në votim të hapur ka pasur për qëllim zhbllokimin e procesit. Megjithatë, Berisha u shpreh skeptik për një zgjidhje gjatë seancës së sonte: “S’kam shpresë se do të ndodhë diçka sonte”.

Sveçla pret që sonte të konstituohet Kuvendi

10 o. më parë / 26 kor 2025 21:41
Xhelal Sveçla

Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është përgjigjur me “po” kur u pyet se a do të konstituohet Kuvendi në seancën e sontme.

“Paaj... Po”, thotë Sveçla teksa hyn në Kuvend kur po bëhen përgatitjet për tentativën e 54-t për konstituim.

E deputeti i kësaj partie, Arbër Rexhaj, ka thënë se kjo zvarritje që është bërë për konstituimin e Kuvendit, është e padrejtë ndaj qytetarëve.

Ai tutje ka fajësuar partitë deri tash në opozitë, duke thënë se ideja e tyre ka qenë që nga fillimi që ta bllokojë procesin. 

“Ne kemi ardhur këtu për të votuar dhe ta ushtrojmë detyrën tonë me përgjegjësi si deputetë, tani nëse më pyesni se a ka ndonjë të re, jemi në mbledhje të grupit parlamentar dhe do ta diskutojmë, unë po flas për detyrat e mia si deputet, mendoj se ky prolongim që është bërë mendoj se është e padrejtë që i kemi bërë qytetarëve. Në thelb, prej fillimit ka ekzistuar ideja e opozitës që ta bllokojë Kuvendin, e mbani në mend kur ata kanë refuzuar t’i votojnë edhe mandatet e veta”, ka thënë ai.

Zemaj: Kemi dëgjuar se deputetëve minoritarë joserbë po u bëhet presion

10 o. më parë / 26 kor 2025 21:35
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se kanë dëgjuar për presion ndaj deputetëve të komuniteteve minoritare joserbe në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit në përpjekjen e 54-t që do të mbahet në orën 22:00.

“Ka presion te deputetë, sidomos te grupet minoritare. Këtë e kemi dëgjuar nga kolegët tanë të komuniteteve joserbe, të cilët thonë se po u bëhet presion që të japin votën shtesë në bazë të interesave dhe kërkesave që kanë paraqitur. Kjo nuk i kontribuon as demokracisë dhe as stabilitetit institucional”, ka thënë Zemaj para hyrjes në Kuvend.

Ai shtoi se procesi është në kohë të kufizuar dhe se shanset për zgjidhjen e ngërçit politik janë të vogla, ndërsa kërkoi që Lëvizjes Vetëvendosje t’i hiqet e drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit, pasi sipas tij, “pozitat lakmuese të saj” po e mbajnë bllokadën.