Arbëri

Krasniqi: KQZ-ja së shpejti deklarohet për rezultatin e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në veri

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shumë shpejt do të deklarohet për rezultatin e këtyre nënshkrimeve të mbledhura në peticionin për organizimin e votimit për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri.

“Presim prej KQZ-së të përfundojë pjesën e saj të punës dhe të kemi votimin në katër komunat e veriut ku qytetarët pa asnjë ndikim të votojnë nëse janë apo jo për shkarkimi e kryetarëve”, ka theksuar Krasniqi në debatin me temën “Efikasiteti dhe ndikimi i peticioneve të qytetarëve si mjet i ushtrimit të të drejtave dhe ndryshime në shoqëri”, i cili është organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë.

Ai ka thënë se i garanton qytetarët në veri që “drejta e tyre do të shkojë deri në fund si e drejtë ligjore e kushtetuese, që të shfrytëzohet peticioni për shkarkim të kryetarëve para përfundimit të mandatit të tyre”.

Milija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe, ka thënë se ai i ka përkrahur serbët që kanë dal nga institucionet, pasi sipas tij nuk ekziston një koordinim mes pushtetit qendror dhe atij lokal.

Sipas tij është fatkeqësi që qytetarët serbë duhet t’i kërkojnë të drejtat e tyre me anë të peticioneve.

Ai ka folur edhe për mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në veri. “A mendoni se dikush do të votonte në kontejnerë dhe nën mbikëqyrjen e njësive speciale. Natyrisht që jo”, është shprehur Bishevac.

Ai ka theksuar se duhet para se gjithash të ketë reflektim për “numrin e madh të serbëve që e kanë braktisur Kosovën.

Ndërkohë që sipas tij e vetmja zgjidhje është që kryetarët në katër komunat në veri të japin dorëheqje. “E vetmja zgjidhje është që kryetarët të japin dorëheqje dhe t’i tërheqin të gjitha vendimet që i kanë marrë dhe të mbahen zgjedhjet”, është shprehur Bishevac.

Politikani serb nga veriu i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, ka komentuar deklaratat e Krasniqit për rritje të besimit të qytetarëve në veri në Policinë e Kosovës.

“Keni përmendur që është rritur besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës, nga 536 të anketuar, 1 njeri ka treguar besim për Albin Kurtin ... Do t’i ankohemi edhe Këshillit të Evropës. Nuk do të pajtohemi për shifrat nga paraqitja juaj”, është shprehur Arsenijeviq.

KOHA javën e kaluar, bazuar në burime të saj, ka raportuar se ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve të qytetarëve serbë në katër komunat veriore.

Siç ka mësuar KOHA, nga verifikimi i bërë është arritur përqindja e kërkuar prej 20 për qind, gjë që i hap rrugë zhvillimit të fazës tjetër - organizimit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri.