Arbëri

KQZ-ja javën tjetër diskuton për verifikimin e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në veri

Descriptive Text

Kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka thënë se javën tjetër do të diskutojnë lidhur me procesin verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura, për organizim të zgjedhjeve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe.

“Javën tjetër do ta trajtojmë atë çështje. Do të jemi në një mbledhje të tillë. Paraprakisht do të miratojmë disa rregullore të brendshme që janë të nevojshme”, është shprehur Radoniqi në mbledhjen e KQZ-së që është mbajtur të premten.

KOHA të enjten ka raportuar se ka përfunduar verifikimin e nënshkrimeve të qytetarëve serbë në katër komunat veriore, ka mësuar KOHA nga burimet e saj.

Siç ka mësuar KOHA, nga verifikimi i bërë është arritur përqindja e kërkuar prej 20 për qind, gjë që i hap rrugë zhvillimit të fazës tjetër - organizimit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri.