Ndonëse e ka përmbyllur procesin e verifikimit të nënshkrimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka konstatuar rezultatet e peticionit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave të veriut. KOHA ka mësuar se ka dallime në këtë institucion lidhur me atë se kush duhet të caktojë datën e votimit për shkarkimin e kryetarëve. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, paralajmëroi se java e ardhshme do të jetë përfundimtare sa u përket peticioneve.
Shpallja e datës së votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri ka ndarë në dysh anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
KOHA ka mësuar nga burimet e saj se dallimet nëse data e votimit duhet të caktohet nga KQZ-ja apo presidentja Vjosa Osmani ka bërë që ky institucion të mos i konstatojë në mbledhje rezultatet e peticioneve.
Një ditë më parë KOHA ka raportuar se KQZ-ja ka përfunduar me verifikimin e nënshkrimeve të pranuara nga qytetarët e katër komunave të banuara kryesisht me serbë.
Por, të premten, kryesuesi i KQZ-së ka thënë se për peticionin java tjetër do të jetë vendimtare.
“Nuk jemi të gjithë, në tërësi të gatshëm me të. Por, java tjetër do të jetë vendimtare në lidhje me të… procesi nuk ka përfunduar, pra javën tjetër do të jemi në një takim të tillë dhe do ta trajtojmë”, ka thënë Radoniqi.
Radoniqi ka bërë të ditur se paraprakisht do të miratohen disa rregullore të brendshme që do të jenë të nevojshme për procese të tilla zgjedhore në të ardhmen.
Nisma për shkarkimin e kryetarit të komunës, në Kosovë, është duke u zhvilluar për herë të parë, e për të është hartuar një udhëzim administrativ.
Por, në dokument nuk është sqaruar se kush do të vendosë për shpalljen e datës së votimit për shkarkimin e kryetarit të komunës, kundër të cilit realizohet peticioni.
Sipas këtij udhëzimi, votimi zhvillohet jo më vonë se 45 ditë nga konstatimi se kërkesa për largimin e kryetarit është mbështetur nga së paku 20 për qind e trupës zgjedhore.