Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Miratohet formulimi i pyetjes në fletëvotimet për shkarkim të kryetarëve në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën ka miratuar formulimin e pyetjes që do të jetë në fletëvotimin e 21 prillit, kur do të votohet për shkarkim të kryetarëve në komunat veriore. Në mbledhjen e së mërkurës është miratuar edhe zgjatja për dy ditë e afatit për aplikim të votuesve jashtë vendit

Kur qytetarët e katër komunave veriore do t’iu drejtohen kutive të votimit më 21 prill, para tyre do të kenë një fletëvotim me pyetjen nëse pajtohen ta shkarkojnë kryetarin e komunës përkatëse.

Si alternativa do të jenë përgjigjet PO dhe JO.

Ky është propozimi që është miratuar të mërkurën në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja, lexoi propozimet edhe të dy formulimeve të tjera të pyetjes për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.

“E para është, a jeni për largimin e Lulzim Hetemit nga funksioni i kryetarit të Komunës së Leposaviqit. Një shembull. Një propozim. E dyta, a duhet të largohet nga funksioni kryetari i Komunës së Leposaviqit dhe a pajtoheni që shembull Lulëzim Hetemi të largohet nga funksioni i kryetarit të Komunës së Leposaviqit. Pra, këta janë shembujt që janë dhënë”, ka thënë Elshani.

Edhe Votimi në veri nëpërmjet 20 fotove Arbëri Votimi në veri nëpërmjet 20 fotove

Bashkë me fletëvotimin, KQZ-ja të mërkurën ka miratuar edhe planin operacional të sigurisë për procesin e votimit të 21 prillit.

Për shkak se deri të mërkurën u regjistruan vetëm dy persona, KQZ-ja po ashtu vendosi të vazhdojë afatin e aplikimit për votuesit jashtë vendit, që nisi të rrjedhë më 29 mars.

Pas një diskutimi nëse e pengon planin operacional, kjo pikë doli në votim.

“Koha për aplikim të votuesve jashtë vendit është zgjatur edhe për dy ditë deri më 5 prill”, ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Edhe KQZ-ja zgjat afatin për aplikim të votuesve jashtë vendit për zgjedhjet në veri Arbëri KQZ-ja zgjat afatin për aplikim të votuesve jashtë vendit për zgjedhjet në veri

Procesi i votimit për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore është mundësuar nëpërmjet Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Fillimisht ai u iniciua me peticione në secilën komunë, e do të pasojë me votim për shkarkim më 21 prill. Nëse edhe ky proces kalon, atëherë faza e fundit janë zgjedhjet e reja komunale.