46 mijë e 248 është numri i votuesve që mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar pro ose kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat e banuara me shumicë serbe. Numri është bërë i ditur në mbledhjen e KQZ-së, të mbajtur të hënën, derisa është miratuar lista preliminare e votuesve.
Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së, tek ka prezantuar këtë listë, tha se për dallim nga zgjedhjet e mbajtura vitin e shkuar në katër komunat në veri, për më shumë se 1 mijë është shtuar numri i votuesve.
“Numri i votuesve për këtë proces të votimit është 46 mijë e 248 votues në tërësi. Në veçanti për Leposaviqin është 13 mijë e 639 votues, në Zubin Potok është 6 mijë e 862, Zveçan 7 mijë e 201 dhe Mitrovica e Veriut 18 e 546 votues. Në krahasim me zgjedhjet që janë mbajtur në prill të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm është rritur me 1 mijë e 153 votues. Sigurisht në kuadër të kësaj rritjeje hyn kategoria e personave të cilët kanë mbushur 18 vjet përgjatë kësaj periudhe kohor por edhe personat e tjerë të regjistruar në këtë rast me dokumente të identifikimit në regjistrin qendror civil”, ka thënë ai.
KQZ-ja, të hënën ka miratuar pikën për qendrat e votimit, derisa për to, Elshani ka thënë se do të jenë hapësira publike.
“Qendrat e votimit vazhdojnë të mbesin të njëjta ato të cilat kanë qenë të planifikuara para zgjedhjeve të prillit. Gjatë marsit të vitit të kaluar kemi miratuar një listë të qendrave të votimit për të gjithë në nivel vendi dhe këto vazhdojnë të mbesin të njëjtat. Pra, nuk do të zhvillohet në objekte private por në institucione, në hapësira publike në këtë rast”, ka thënë Elshani, në mbledhjen e KQZ-së.
Në këtë mbledhje, është bërë e ditur edhe caktimi i zyrtarëve në komisionet komunale zgjedhore në katër komunat në veri. Drejtues i secilës prej tyre do të jetë nga një zyrtar prej komunave të tjera të Kosovës, siç është Graçanica, Shtërpca, Ranillugu e Parteshi.
Qytetarët e katër komunave në veri, Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut e Mitrovicës së Veriut, më 21 prill do të votojnë nëse janë pro shkarkimit ose jo të kryetarëve aktualë. Ky proces i votimit, ka rrjedhë nga peticioni i zhvilluar muaj më parë në këto katër komuna, derisa nëse rezulton i suksesshëm, në këto katër komuna do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme për kryetar.