Së shpejti pritet t’i hapet rrugë votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të vendit. KOHA ka mësuar se KQZ-ja ka përfunduar me verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura, por që nga ky institucion nuk kanë pranuar të flasin për këtë proces
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar verifikimin e nënshkrimeve të qytetarëve serbë në katër komunat veriore, ka mësuar KOHA nga burimet e saj.
Sipas tyre, ky proces ka disa ditë që është përmbyllur dhe së shpejti pritet që në një mbledhje të KQZ-së të diskutohet për të.
Siç ka mësuar KOHA, nga verifikimi i bërë është arritur përqindja e kërkuar prej 20 për qind, gjë që i hap rrugë zhvillimit të fazës tjetër - organizimit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 29 janar pati njoftuar se ka nisur me verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe. Një muaj pas, nga ky institucion nuk kanë treguar se ku janë me procesin e verifikimit dhe kur pritet të mbahet votimi për shkarkimin e kryetarëve në këto komuna.
Sipas njohësit të çështjeve që lidhen me qeverisjen lokale, Shkëlqim Jakupi, verifikimi i nënshkrimeve nuk do të duhej të ishte problem për KQZ-në, përveç nëse haset në parregullsi të mëdha.
Por, Jakupi ka shprehur shqetësimin për vakumin ligjor, që thotë se do ta shoqërojë ecurinë e shkarkimit të kryetarëve.
“Tash pas verifikimit të nënshkrimeve për inicimin e procesit të largimit të kryetarëve të komunave nuk ekzistojnë afate të përcaktume ligjore as institucione përkatëse, të cilat duhet të marrin përgjegjësinë për organizimin e këtij votimi”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se votimi për shkarkimin e kryetarëve duhet të paraprihet me diskutime në mes të KQZ-së, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe organeve komunale.
“Përcaktimi i fletës së votimit, se si do ta emërojnë fletën e votimit, kush do ta miratojë përmbajtjen e asaj flete të votimit, kush do t`i shpallë kushtimisht zgjedhjet apo ditën e votimit, këto duhet me shku me një konsultë të brendshme të këtyre institucioneve që janë të përfshira në proces dhe për mendimin tim një rol të rëndësishëm do ta ketë presidentja”, është shprehur Jakupi.
Sipas udhëzimit administrativ të MAPL-së, votimi duhet zhvilluar jo më vonë se 45 ditë nga dita e konstatimit të KQZ-së se kërkesa për largimin e kryetarit është mbështetur nga së paku 20 për qind e trupës elektorale në komunën përkatëse.
Kryetari i komunës shkarkohet nga detyra nëse 50 për qind, plus 1 votues, voton për largimin e tij. Nëse edhe kjo fazë kalon, atëherë organizohen zgjedhjet për kryetarë të rinj.