Arbëri

KQZ-ja diskuton të premten për verifikimin e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë të premten mbledhje për verifikimin e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KOHËN se në rend të ditës është prezantimi i raportit lidhur me verifikimin e peticioneve të kryesuesve të Kuvendeve Komunale në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.

“Të premten, më 8 mars 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend të ditës është planifikuar të prezantohet raporti lidhur me verifikimin e peticioneve të pranuar nga kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut”, ka thënë ai.

Të enjten e javës së kaluar, KOHA ka raportuar se ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve të qytetarëve serbë në katër komunat veriore.

Siç ka mësuar KOHA, nga verifikimi i bërë është arritur përqindja e kërkuar prej 20 për qind, gjë që i hap rrugë zhvillimit të fazës tjetër - organizimit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri.