Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KQZ-ja po pret raportin e institucioneve të sigurisë për problemet me uebfaqen

Kreshnik Radoniqi dhe Vjosa Osmani

Foto arkiv: Presidenca e Kosovës

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka thënë se për problemet me uebfaqen janë në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë. 

Ai në një takim që e ka zhvilluar me presidenten, Vjosa Osmani, se ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, siç thuhet, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, z. Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja  është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin. 

Njëkohësisht thuhet se Osmani është njoftuar nga Radoniqi se KQZ-ja, “është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve”. 

Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit.

“Që nga dita e zgjedhjeve, Presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik. Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Uebfaqja e KQZ-së që nga nisja e numërimit ka pasur probleme në shfaqjen e numrave. Në mbrëmjen e 9 shkurtit, KQZ-ja njoftoi se të dhënat nuk duhet të merren parasysh për shkak të telasheve me faqen. Në mëngjesin e së hënës, KQZ-ja tha se kjo çështje është rregulluar.