Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​KQZ-ja miraton kërkesën e gjashtë partive për shtyrje të kuvendeve zgjedhore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesat e 6 subjekteve politike për shtyrjen e kuvendeve zgjedhore.

Valmira Selmani nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike u shpreh se arsyetimi për shtyrje afatit për zgjedhje të brendshme nga gjashtë parti politike ka qenë për shkak të situatës pandemike në vend.

“Zyra ka pranuar gjashtë kërkesa të partive politike për shtyrjen e afatit, arsyetimi ka qenë për shkak të gjendjes pandemike e cila nuk i lejon numrin e madh dhe grumbullimin e njerëzve dhe masave kufizuese. Zyra ka shqyrtuar edhe kërkesën e Këshillit për Çështje Ligjore, bashkangjitur kërkesat e partive politike dhe datat se deri kur kanë kërkuar për t’i shtyrë kuvendet zgjedhore, disa kanë kërkuar 2-3 muaj, disa kanë kërkuar edhe një afat pak më të gjatë ligjor për shkak të situatës që po mbizotëron në Kosovë”, theksoi ai.

Florian Dushi, anëtar i KQZ nga radhët e LDK, i cili përfaqëson Këshillin për Çështje Ligjore u shpreh se kërkesat e gjashtë subjekteve politike për shtyrje të afatit për mbajtje të kuvendeve zgjedhore janë të bazuara.

“Kërkesat që kanë ardhur nga subjektet politike dhe të cilat përmes ZRPP-së i kemi shqyrtuar në Këshillin për Çështje Ligjore shumica prej tyre përmbajnë edhe një datë dhe afat që e kanë përcaktuar me vullnetin e tyre sipas agjendave të tyre të parapara se kur apo cila datë do të jetë afati i fundit për mbajtjen e kuvendeve zgjedhore të këtyre subjekteve politike. AKR afati i fundit për mbajtjen e kuvendit zgjedhor ka qenë 31.12.2021 ndërkohë ka kërkuar afat deri më 25.02.2022. Subjekti i dyti politik Prokret Zupu i Dijasporu-Zupska afati i fundit ka qenë po ashtu 31.12.2021 dhe ka kërkuar afat deri më 31.05.2022. [...] Dhe subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje afati i fundit 21 janar i vitit 2022 dhe ka kërkuar afat deri më 30 tetor të vitit 2022”, theksoi ai.

Edhe LVV-ja shtyn kuvendin zgjedhor për në tetor Arbëri LVV-ja shtyn kuvendin zgjedhor për në tetor

Gjatë kësaj mbledhjeje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është diskutuar edhe lidhur me vendimin e KQZ për pagesën e stafit të KQZ-së për rrezikshmërinë në punë nga pandemia COVID-19, lidhur me organizmin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi u shpreh se ky vendim duhet të rishikohet.

Kurse, Sami Kurteshi nga anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se gjithsesi që ky vendim duhet të rishikohet edhe në aspektin se a është në përputhje me vendimin e Qeverisë dhe arsye se përse nuk ka ndodhur ekzekutimi i këtyre pagesave deri më tani.

Për anëtarin e KQZ nga Lëvizja Vetëvendosje, Alim Rama ky vendim duhet të anulohet krejtësisht. Ndërsa, Florian Dushi nga LDK kërkoi të shihet se sa janë mundësitë buxhetore brenda KQZ-së për zbatim të këtij vendimi.

Edhe KQZ-ja shtyn deri në mesnatë afatin për aplikim për certifikim të subjekteve politike Arbëri KQZ-ja shtyn deri në mesnatë afatin për aplikim për certifikim të subjekteve politike

Drejtoresha e Administratës në KQZ, Miradije Meha u shpreh se nuk kanë pasur mjete për të ekzekutuar pagesën për e stafit të KQZ-së për rrezikshmërinë̈ në punë nga pandemia COVID-19.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendeve Komunale në: Viti dhe Deçan, Malishevë dhe Prizren, dhe po ashtu ka miratuar edhe planin përfundimtar të prokurimit për vitin 2022./ KP