Arbëri

KQZ-ja shtyn deri në mesnatë afatin për aplikim për certifikim të subjekteve politike

kqz

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të shtyjë afatin për aplikim për certifikim të partive politike deri në mesnatë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. 

“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024”, ka theksuar ai. 

Ai ka thënë se këtë vendim, KQZ-ja e ka marrë gjatë mbledhjes së mbajtur sot, siç ka thënë, duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës.

Për këtë ka shkruar edhe Eugen Cakolli nga Institutit Demokratik i Kosovës (KDI). 

“Partitë politike kanë pasur afat për të aplikuar për certifikim (dhe dorëzim të listave të kandidatëve) që nga 1 shtatori, deri sot në ora 16:00 – pra, plot 102 ditë. Megjithatë, pak minuta para përmbylljes së këtij afati, anëtarët e KQZ-së nga radhët e partive politike, kanë vendosur ta shtyjnë këtë afat LIGJOR, edhe për 8 orë të tjera”, ka shkruar Cakolli në Facebook. 

Sipas tij ndonëse faji për këtë shtyrje po tentohet t’u lihet problemeve të platformës online, “në fakt, fajtorët e vetëm janë partitë (sidomos ato të mëdha) që nuk e kanë marrë seriozisht procesin, duke i lënë aplikimet për momentet e fundit”. 

“E sistemi online, si zhvillimi më pozitiv i KQZ-së në këto zgjedhje, ka funksionuar si është më së miri. Për më keq, vendime dhe arsyetime të tilla, e cenojnë besimin e publikut në punën e KQZ-së dhe në tërë procesin zgjedhor”, ka shkruar Cakolli.