Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur të enjten mbledhjen e 280-të me radhë. Në mesin e vendimeve të marra sipas njoftimit të KPK-së është edhe anulimi i procesit të rekrutimit të prokurorëve.
Në këtë takim, KPK-ja ka marrë edhe tri vendime të tjera në mesin e të cilave edhe autorizimi i kryesuesit të këtij këshilli, Ardian Hajdaraj, që në emër të institucionit të nënshkruajë Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Këshillin e Lartë të Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë. Qëllimi i saj bëhet e ditur se është avancimi i koordinimit institucional dhe shkëmbimit profesional ndërmjet dy institucioneve homologe.
Anëtarët e Këshillit poashtu u njoftuan për arritjen e moshës së pensionimit nga një prokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi që emri i prokurorit Slobodan Bakiq t’i procedohet Presidentes së Republikës së Kosovës për lirim nga detyra.
Në takim, Këshilli trajtoi një ankesë disiplinore dhe vendosi që lënda t’i referohet Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për vlerësim të mëtejmë, në pajtim me procedurat disiplinore dhe standardet e vlerësimit profesional.