Arbëri

Anulohet vendimi për shkarkimin e u.d. të kryeprokurorit Besim Kelmendi

Besim Kelmendi

Gjykata Supreme e ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendi nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit.

Lënda i është kthyer Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje.

Kelmendi ishte shkarkuar më 20 nëntor nga Këshilli Prokurorial, me pesë vota pro edhe pse KPK-ja ka 10 anëtarë. Vendimi ishte marrë pas dëshmisë së tij të dhënë për masakrën e Reçakut. Kelmendi i pati mohuar raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut.

Vendimi ishte marrë nga KPK-ja edhe pse paraprakisht takimi u mbyll në mungesë të kuorumit, me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve të tjerë nga mbledhja.

Organizata të shoqërisë civile e patën cilësuar shkarkimin e Kelmendit si tendencë për bllokim të reformës nga anëtarët që votuan për.

“Sipas Gjykatës Supreme vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veproj në formën dhe mënyrën se si ka vepruar, pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim”, thuhet në vendim. "Gjykata Supreme e Kosovës  nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që vendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe Kodit të Etikës Profesionale për Prokuror, nuk është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendja faktike, si dhe nuk është zbatuar drejtë e drejta materiale”.

Tutje theksohet vendimi si i tillë për shkak të peshës së pozicionit apo pozitës dhe jo individit në proces kërkon profesionalizëm të skajshëm që nga stadi i parë i procedurës, pastaj mbledhja me pikë të veçantë të rendit të ditës, aprovimi i rendit të ditës, prezantimi i një raporti mbi të gjeturat në raport me bazën për shkarkim dhe në fund vendosja në procedurë të votimit propozimin për shkarkim.

 

“Referimi i Këshillit Prokurorial në dispozita të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative që i referohet funksionimit të organeve kolegjiale në raport me sigurimin e kuorumit, nuk mund të qëndron sepse dispozitat e Ligjit për Këshillin Prokurorial më konkretisht neni 37/A janë dispozita të Ligjit të veçantë që kanë përparësi në zbatim në raport me dispozitat e Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative që kërkon kuorumin e që nënkupton gjysmën e anëtarëve plus një votë duke përfshirë edhe procedurën disiplinore pra gjysmën e thjeshtë që nënkupton se në rastin konkret Këshilli nuk ka pasur fare kuorum për hapje të seancës me pikë të rendit të ditës shkarkimin e U.D të Kryeprokurorit por që ka qenë dashur që të siguroj së paku 6 anëtar nga përbërja aktuale që juridikisht janë 11 sepse nuk është aprovuar dorëheqja apo ka mbetur pezull çështja e tyre, por edhe në rastin tjetër që janë 10 anëtarë kuorumi duhet të sigurohet nga 5 plus 1 anëtarë pra 6 anëtarë dhe rrjedhimisht me 5 anëtar këshilli nuk mund të ushtroj asnjë funksion të thjeshtë as të mbaj mbledhje e lëre më të procedojë me vendimmarrje apo edhe shkarkim”, thuhet tutje në vendim.