Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Më shumë se 20 serbë tërheqin dorëheqjet në Prokurorinë dhe Gjykatën e Mitrovicës

prokuror

Më shumë se 20 zyrtarë serbë të Prokurorisë dhe Gjykatës në Mitrovicë kanë tërhequr dorëheqjet e paralajmëruara më herët.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar se së fundmi ka pranuar rreth 20 emaile nga prokurorë dhe staf mbështetës nga radhët e komunitetit serb, që kanë kërkuar tërheqjen e dorëheqjeve.

“KPK së fundmi ka pranuar në vazhdimësi disa e-mail-a (rreth 20 sosh) dërguar në adresën zyrtare të Kryesuesit të KPK-së, z. Arian Gashi, nga prokurorët dhe stafi mbështetës nga radhët e komunitetit serb të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, me anë të të cilëve, të njëjtit e kanë informuar Kryesuesin Gashi lidhur me njoftimet e tyre për tërheqjet e dorëheqjeve të paralajmëruara më herët”, ka thënë zëdhënësi i KPK-së, Bedri Gashi.

Kërkesa për tërheqje të dorëheqjeve janë dorëzuar edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

“Ka disa kërkesa por akoma nuk kemi raport përfundimtar. KGJK do t'i trajtojë me kujdes këto kërkesa, ndërsa opinioni publik do të njoftohet për vendimin e Këshillit”, ka thënë Aishe Qorraj-Berisha, zëdhënëse e KGJK-së.

Gjyqtarë e prokurorë serbë ishin dorëhequr në nëntor 2022 pas shkarkimit të drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, pasi ai vendosi të mos e zbatonte vendimin për ndalimin e targave ilegale serbe. Dorëheqje patën dhënë edhe pjesëtarët e Policisë.

Edhe KPK-ja refuzon kthimin në sistem të prokurorëve serbë në veri të dorëhequr më 2022 LAJMET E MBRËMJES KPK-ja refuzon kthimin në sistem të prokurorëve serbë në veri të dorëhequr më 2022

Sipas të dhënave nga Këshilli Prokurorial, janë gjithsej 32 serbë që kanë dhënë dorëheqje, prej tyre 10 prokurorë e 22 zyrtarë të stafit administrativ. 

E në gjykata, janë 144 të tillë: 25 gjyqtarë e 119 të punësuar të tjerë.

Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në Kosovë ishte nisur me marrëveshjet në Bruksel.