Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova s’pret valë të re të pandemisë në javët në vijim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se, sipas projeksionit që ka marrë ministria nga ekspertët, situata me pandeminë do të vazhdojë të jetë stabile edhe në javët e ardhshme.

Pas rënies së rasteve të reja, Kosova nga e hëna ka lehtësuar masat kundër koronavirusit. Në raportin e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për 24 orë, u regjistruan vetëm pesë raste pozitive nga testimi i 2007 mostra. S’është regjistruar asnjë vdekje si pasojë e COVID-19.

“Projeksioni për javët në vazhdim, për momentin nga të dhënat që kemi nga IKSHPK-ja, është projeksion që së paku për javët në vazhdim paraqet gjendje stabile. Jemi të prirë t’u besojmë këtyre analizave të ekspertëve tanë, por e përsërisim që përkundër ironisë suaj (drejtuar ish-ministrit Armend Zemaj v.j.) nëse ka përfunduar pandemia, kemi thënë se duhet të respektohen masat bazike, maska, higjiena dhe ajrosja. Në momentin kur situata epidemiologjike pëson problematikë apo do të ketë rritje të rasteve, krahas vaksinimit do të marrim edhe masa konform situatës”, është shprehur ministri Vitia në raportimin para deputetëve në Komisionin për Shëndetësi.

Deri tash në Kosovë janë kryer rreth 65 mijë vaksinime, ndërsa vendi është furnizuar me rreth 170 mijë vaksina. Ditë më parë, Qeveria deklaroi se ka arritur marrëveshje me kompaninë “Pfizer” për blerjen e 1.2 milionë vaksinave deri në fund të vitit.