Popullata në Kosovë po shkon duke u plakur e të rinjtë vazhdimisht e më shumë po e shohin vendin si jo të përshtatshëm për të krijuar familje. Teksa ka edhe rënie të natalitetit, është kërkuar nga institucionet e vendit që të ndryshohen politikat e të kthehen më shumë në favor të familjes për të tejkaluar këtë çështje.
Visare Mujku-Nimani, zyrtare nga Zyra e Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka thënë në emisionin “Sot” në KTV se ndër vite në Kosovë vazhdimisht është përjetuar rënie e natalitetit me shumë faktorë që ndërlidhen ne të. Pandemia e COVID-19, sipas saj, ka nxjerrë në pah vështirësitë dhe ka shtuar mëdyshjet e të rinjve për të krijuar familje në Kosovë.
“Çështja e popullsisë është komplekse. Ndryshimet në dekadat e kaluara po kanë reflektim në gjithë botën. Edhe Kosova s’është jashtë tyre. Është vënë re se ka rënie të trendit të natalitetit, edhe në vendet e Ballkanit, ku për shkak të migrimit rënia e natalitetit është rënduar edhe më tepër. Këtu ndërlidhet situata ekonomike, punësimi, fuqia punëtore, punësimi i grave, kujdesi i fëmijëve, kujdesi i vendit për një familje... Në Kosovë në vitin 2000 ka qenë fertiliteti 2.7, ndërsa më 2019 1.66 dhe kjo tregon rënie”, ka thënë ajo.
Sipas saj, fluksi i madh i qytetarëve që u larguan nga Kosova në vitet 2014-2015 ka pasur po ashtu ndikim në rënien e natalitetit.
“Sepse ata të rinjtë në moshën prodhuese e me plane për zhvillim familje kanë migruar dhe familjet i zhvillojnë në vendet ku kanë migruar”, ka shtuar Mujku-Nimani.
Edhe
11 për qind e popullsisë në Kosovë, mbi 65-vjeçare
Duke u nisur nga projeksionet që popullsia e Kosovës mbi moshën 65-vjeçare në vitin 2060 të jetë rreth 27 për qind, e në vitin 2017 ishte vetëm tetë për qind, Mujku-Nimani ka thënë se institucioneve u duhet qasje tjetër për familjen në vend.
Ajo ka thënë se pavarësisht se popullata po shkon duke u plakur, shteti duhet të krijojë më shumë kushte për të rritur më lehtë një fëmijë, të mundësojë pushimin prindëror, kthimin në vendet e punës, të ketë më shumë gra të punësuara e politika më inovative për tejkalim të krizës.
Mujku-Nimani po ashtu ka thënë se në vend edhe mosha mesatare e popullatës po shkon duke u ngritur. Më 2011 ajo ka qenë 29.9 vjet, ndërsa tash është 32.
Shfrytëzimi i potencialit të të moshuarve, kthimi i migrantëve, shfrytëzimi i të rinjve e politika që u ndihmojnë çifteve që duan të kenë fëmijë, janë ato që Mujku-Nimani ka rekomanduar për institucionet.
Edhe
Shprehet drojë se liberalizimi i vizave “do ta boshatisë” Kosovën
“Ajo që duhet të bëhet është që Kosova të jetë vend ku të rinjtë e shohin si vend për ta zhvilluar familjen e tyre”, ka thënë ajo.