Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s të hënën.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Ky vendim është marrë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s më 27 maj 2024, ka njoftuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni.
“Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nga qershori i vitit 2014, ne përfaqësoheshim si delegacion vëzhgues”, ka shkruar Hyseni në Facebook, i cili është edhe Kryesues i Delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Ai ka shtuar se letrat e shumta dhe përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë, por edhe të akterëve tjerë politikë në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit.
Vendimin e së hënës e ka mirëpritur presidentja Vjosa Osmani. Përmes një postimi në platformën “X”, Osmani ka thënë se NATO-ja është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet.
“Do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar ajo.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka mirëpritur këtë vendim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, duke thënë se nga tani Kosova do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja e NATO-s.
“Me këtë vendim Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, gjë që sigurisht se do të ndikojë në stabilitetin e Ballkanit”, ka shtuar ai.
Çfarë është Asambleja Parlamentare e NATO-s?
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë - në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Tani, me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.
Sot në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s vendoset për avancimin e statusit të Kosovës
Kosova sot është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila shqyrton avancimin e statusit të vendit në këtë organizatë.
Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asociuar të kësaj organizate. Kosova pret që të marrë përkrahje në avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës.
Kosova përfaqësohet nga deputetët Driton Hyseni dhe Xhavit Halit, të cilët janë shprehur optimistë se epilogu do të jetë pozitivë.
Ata do të jenë prezentë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po mbahet në Sofje.
Ndërsa delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asociuar.
Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asociuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.
Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asociuara, 4 vende të asociuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asociuara janë nëntë, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asociuar.
Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asociuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.
Në njoftimin e Parlamentit serb u tha se dhënia e një statusi i tillë do të paraqiste shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Siç thuhet në njoftim, zëvendëskryetarja e delegacionit serb, Natasha Jovanoviq, ia rikujtoi Asamblesë Parlamentare të NATO-s kompleksitetin e çështjes duke pasur për bazë situatën në Kosovë “pasi bëhet fjalë për shkëputje të një anshme të një pjese të territorit, të një shteti të njohur ndërkombëtarisht”. Sipas Jovanoviqit, çështjet territoriale duhet të zgjidhen përmes një marrëveshjeje.
Serbia po ashtu akuzoi Kosovën se po refuzon të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel dhe, sipas Beogradit, 11 vjet pas marrëveshjes së arritur nuk po e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, Prishtina ende nuk ka ndërmarrë hapa që të formojë Asociacionin.
Kosova humbi rastin që në mes të majit të bëhej anëtare e organizatës të Këshillit të Evropës për shkak se Asociacioni u vendos si kusht. Kosova përmes një letre dërguar kësaj organizate tha se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim një draft-statut për Asociacionin, në këmbim të pranimit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se draft-statuti do të frymëzohej nga ai që ka paraqitur organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.
Por, Kosova nuk u fut në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që u mbajt më 16 dhe 17 maj në Strasburg. Megjithatë, Këshilli i Evropës ka thënë se po e shqyrton mënyrën se si të procedojë me rastin e Kosovës.