Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova merr pjesë në Asamblenë e Fondit Global të Mjedisit në Vietnam

Kosova po merr pjesë për herë të parë në Asamblenë e gjashtë të Fondit Global të Mjedisit (GEF) që po mbahet në Vietnam.

Albena Reshitaj, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është takuar me kryeministrin e Vietnamit, Nguyen Xuan Phuc, që, sipas njoftimit, është takimi i parë shtetëror i një delegacioni kosovar në shtetin e Vietnamit, që akoma s’e ka njohur Kosovën si shtet.

Në njoftim theksohet se Reshitaj ka kërkuar bashkëpunim të mëtutjeshëm mes dy shteteve dhe ka përsëritur kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës “pasi kjo do t’i kontribuonte stabilitetit gjeopolitik të rajonit dhe do të hapte rrugën e bashkëpunimit në mes dy shteteve në fushën ekonomike, politike e mjedisore”.

MMPH thotë se “ky është hapi i parë institucional në drejtim të konsolidimit të pjesëmarrjes të Kosovës në këtë Fond, i cili do të pasohet edhe me hapa të tjerë që do të kontribuojnë në përfitimin e projekteve milionëshe nga fusha e mjedisit, të munguara deri më tani”.

GEF ka një buxhet vjetor mbi 18 miliardë dollarë dhe deri me tani në formë të granteve ka investuar mbi 69 miliardë dollarë në 170 vende të botës.