Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova kërkon mbështetje nga Fondi Global i Mjedisit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka kërkuar mbështetje nga Fondi Global i Mjedisit (GEF), që po mban Asamblenë e gjashtë në Da Nang të Vietnamit.

Gjatë një fjalimi para pjesëmarrësve, Reshitaj, sipas njoftimit, ka thënë se “përfshirja e Kosovës në këtë Asamble, pavarësisht që Kosova nuk është pjesë e UN-it dhe nënshkruese e konventave ndërkombëtare që lidhen me mjedisin, e rrumbullakon punën tonë, na ndihmon në përmirësimin e gjendjes së mjedisit, një shqetësim yni i përbashkët dhe njëkohësisht na angazhon në kuadër të procesit të integrimit evropian në ndërmarrjen e hapave konkret në përmbushjen e standardeve”.

“Si shtet i ri, një rendësi të veçantë po i kushtojmë menaxhimit të mbeturinave, përmirësimit, ujërave, ruajtjes së biodiversitetit, mbrojtjes së ajrit nga ndotja, adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike, zvogëlimit të emetimeve dhe zbutjes së ndikimeve nga ndryshimet klimatike si dhe zbatimit të teknologjive të pastra dhe eko-inovacioneve. Në këtë betejë të rëndësishme për mjedisin, për tokën dhe në përgjithësi për resurset tona, ne kemi nevojë për mbështetje. Me ne në këtë rrugëtim kemi pasur Bashkimin Evropian, pjesë e natyrshme e të cilit presim të bëhemi në një të ardhme të afërt, përmes instrumenteve dhe programeve të ndryshme, megjithëse për një punë të madhe dhe të rëndësishme na duhet mbështetja edhe nga programet dhe instrumentet dhe fondet e Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar ajo.

MMPH thotë se Kosova kërkoi që të ketë qasje ne fondet dhe programet e GEF-it dhe për të qenë pjesëmarrëse e të gjitha aktiviteteve që organizohen në kuadër të GEF.

GEF mbledh 183 vende të botës dhe është një prej organizatave më të mëdha ndërkombëtare që adreson çështjet e mjedisit në botë, si dhe ndihmon nismat për zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit në vende në zhvillim. GEF ka ofruar mbi 17 miliardë dollarë grante dhe ka financuar projekte në vlerë prej mbi 69 miliardë dollarë në 170 vende të botës. Kosova po merr pjesë për herë të parë në një Asamble të GEF-it.