Në kuadër të Asamblesë së 6-të të Fondit Global të Mjedisit, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka realizuar takime të ndara me presidenten e Ishujve Marshall, Hilda Heine dhe me presidentin e Guajanës , David Granger, të cilët i falënderoi për njohjen dhe përkrahjen që po i japin Kosovës.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në takim me presidenten e Ishujve Marshall, Hilda Heine, si organizatore e konferencës së ardhshme për ndryshimet klimatike dhe rolit të saj të rëndësishëm në GEF, Reshitaj mori përkrahje nga Heine në mënyrë që edhe Kosova të ketë qasje në Fondin e Gjelbër për Klimën (Green Climate Fund), transmeton Koha.net.
Heine njoftoi Reshitajn për krijimin e forumit të grave brenda Fondit Global të Mjedisit, i cili do të bashkojë shumë lidere nga e gjithë bota, me qëllim avancimin e rolit të grave në vendimmarrje si dhe u zotua që do të bëjë përpjekje, që edhe Reshitaj të jetë pjesë e këtij forumi.
Thuhet se ato u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe në shkëmbimin e eksperiencave në disa sfida të përbashkëta, si problemi i erozionit e vërshimeve, ngrohja globale, ndotja e ajrit, mbeturinat dhe ruajtjen e biodiversitetit.
Ndërkaq në takimin që pati me presidentin e Guajanës , David Granger, Reshitaj prezantoi aspiratat e Kosovës për integrim në bashkësinë ndërkombëtare dhe rritjen e bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve mjedisore globale.
Nga ana tjetër, presidenti i Guajanës ofroi përkrahjen e shtetit për Kosovën në mënyrë që shteti ynë të ketë çasje në fondet e GEF-it dhe të jetë pjesë e nismave globale për mjedisin.