Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme për takimin e radhës në kuadër të dialogut me Serbinë. Sidoqoftë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë kësaj jave ka lënë mëdyshje për takimet e radhës. Vuçiq ka thënë se ka dilemë për pjesëmarrje në Konferencën e Sigurisë në Mynih, shkaku që “e di se si do të jetë” dhe se të gjitha çështjet janë krejt kot, me përjashtim të Asociacionit. Por Vuçiqi ka thënë se e ka kusht që deri të hënën të vendosë për këtë çështje.
E hapur për takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të Brukselit është shprehur Qeveria e Kosovës.
Për datë potenciale të takimeve nuk kanë dhënë detaje në Kryeministri e as në BE gjatë së dielës.
Në një përgjigje për Kosovapress, zëdhënësi i Qeverisë ka thënë se për takimin e radhës janë në kontakt me Bashkimin Evropian.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian për caktimin e takimit të radhës. Gatishmërinë për të e kemi shprehur edhe publikisht. Do t’ju mbajmë të informuar me kohë, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Derisa kryeministri Kurti gatishmërinë për takim ia ka shprehur edhe këshilltarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dilema ka shfaqur së fundmi presidenti Vuçiq.
Këtë javë në “TV PRVA” ai ka shprehur mëdyshje edhe se a do të shkojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që do të mbahet nga 17 deri më 19 shkurt.
“Nuk guxoni ta refuzoni…Tash është pyetja: a të shkoj në Mynih. Deri të hënën më duhet të vendos. Atje është konferenca më e madhe e sigurisë në botë. Vijnë Scholtz, Macron, Blinken, Borrel, faktikisht të gjithë. Tash nëse Kurti shkon e nuk jemi aty, atëherë do të kemi probleme. Nëse shkoj e di se si do të jetë. Ende nuk e kam marrë vendimin. Nuk është problem të diskutosh, por duhet ta kuptojnë, se ajo që duhet të vijë para të gjithave: AKS (Asociacioni i Komunave Serbe). Të gjitha të tjera janë pa lidhje. Po tentoni të më bindni për diçka që nuk dua ta pranoj”, ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë ditës për Asociacionin ka folur edhe lideri i Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik.
Ai ka thënë se Asociacioni duhet t’i ngjajë atij në Bosnje.
“Në çdo rast, qëndrimi i tyre se Kosova është rast i veçantë, se nuk vlen për rastet e tjera, është mesazh edhe për ne në Republika Sërpska – mos e imitoni këtë, nuk vlen për ju. Kurti po adhurohet. Ai ka prapa vetes fuqinë amerikane dhe NATO-n, dhe ata po e mbrojnë të porsalindurin e tyre të abortuar diku në histori, që do të jetë një shtet. Nëse duan të luajnë shtete, atëherë edhe Republika Sërpska është shtet. Asociacioni duhet të ketë pushtet ekzekutiv dhe në një pjesë duhet t’i ngjalë Republika Sërpskas, e kjo është e saktë”, ka deklaruar Dodik.
Ndërsa ambasadori i Rusisë në Beograd, Bocan Harçenko, ka shprehur rezerva për planin franko-gjerman dhe ka deklaruar se zgjidhja për çështjen e Kosovës duhet të bëhen në Këshillin e Sigurimit dhe në pajtim me Kushtetutën e Serbisë.