Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konjufca: Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit serb.

Ai ka thënë të hënën nëpërmjet Reçakut, bota demokratike e kishte kuptuar se “gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës”.

“Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit të Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj, gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Prandaj, gjithmonë do të mblidhemi këtu, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, e edhe dëshmorët e rënë në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile të Reçakut”, ka shtuar ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë dy momente që konsiderohen si kthesë e lirisë së vendit. Sipas tij është Prekazi i Jasharëve dhe Reçaku.

“Reçaku e bëri kthesën edhe për Bashkësinë Ndërkombëtare. Ne e falënderojmë nga zemra NATO-n dhe Amerikën, sepse pikërisht në këtë ditë ndodhi kthesa dhe bota e qytetëruar u vu në mbrojtje të Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe Bëhet thirrje për më shumë rezultate në hetimet për krime lufte Arbëri Bëhet thirrje për më shumë rezultate në hetimet për krime lufte

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Masakra e Reçakut duhet të mbetet në kujtesë si sakrificë e madhe “të popullit tonë për liri e shtetësi”.

Ai ka shkruar në Facebook se vrasja e civilëve ishte krim kundër njerëzimit.

“Mes familjarëve të fëmijëve, grave, të moshuarve e burrave, të vrarë e masakruar nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë; në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit të vitit 1999. Në përkujtim të ditës që tronditi një botë të tërë. ‘Krim kundër njerëzimit’ do ta quante ambasadori Walker atëherë. Ishte një ndër më të rënda të njerëzimit në fundshekullin e njëzetë”, ka thënë kreu i partisë opozitare.

E, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se edhe 25 vjet pas, Masakra e Reçakut mbetet “dhembja jonë më e madhe”.

“Një krim mizor dhe me paramendim kundër njerëzimit – i cili vulosi qëllimin politik të Serbisë dhe agjendën e saj për të kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë. Gjithmonë, e posaçërisht sot, vlerësojmë lartë kontributin e Ambasadorit William Walker, i cili, çerek shekulli më parë, nga vendi i ngjarjes në Reçak, krimin e quajti me emrin e të tij të vërtetë. Kosova nuk do të hesht asnjëherë për krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998/99, derisa drejtësia të vihet në vend për secilën viktimë të vendit tonë”, ka shkruar ai.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Masakra e Reçakut kishte zgjuar forcën reaguese të botës ndaj krimeve çnjerëzore të regjimit serb.

Edhe Një masakër mbi masakrat në Kosovë Shtojca për Kulturë Një masakër mbi masakrat në Kosovë

Sipas tij, gjurmët e një masakre të tillë s'mund të zhduken e as të mohohen”.

“Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e orkestruara, paramenduara dhe ekzekutuara. Reçaku është më shumë sesa një ngjarje në librat e historisë. Ajo është fytyra e vërtetë e Serbisë së Millosheviqit e cila ende fatkeqësisht nuk e ka bërë shkëputjen nga ajo aktualja e Vuçiçit, për sa kohë ende mohohen masakra si e Reçakut”, ka thënë ai në Facebook.