Arbëri

Konjufca: Nëse ndodh ndonjë draft për Asociacionin, ai do të propozohet nga Kosova

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nëse do të ketë draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai do të propozohet nga Kosova. Sipas tij, një draft i mundshëm nuk do të ishte rezultat i negociatave me Serbinë.

Këtë deklaratë ai e dha pak pasi Qeveria njoftoi se është dakorduar që “plani i ri” i propozuar nga pesë diplomatët perëndimorë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, krahas drafit për “zbatimin e nenit 7”, siç e quan Qeveria, e që BE-ja të martën e ka identifikuar si “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, të jetë bazë për diskutimet e ardhshme.

Sipas Konjufcës, ky plan është “në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk ka kurrfarë niveli të pushtetit”. Megjithatë, ai ka shtuar se nëse ndodh ndonjë draft i asociacionit, ai do të propozohet nga Kosova. Konjufca ka thënë se idetë e reja duhet të shqyrtohen me kujdes dhe “të bëhet dallimi që për Asociacionin nuk duhet të negociohet”.

“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, po është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë, por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Do me thënë kjo mund të jetë, bile-bile, nëse ndonjëherë ndodh një draft i asociacionit ai duhet të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse jo nuk propozohet fare. Por, nëse ju mendoni që duhet të ndodhte kjo atëherë duhet të ndodhte nga ana e Qeverisë, nga ana e Republikës së Kosovës, e para. Dhe e dyta nuk do të ishte rezultat i negociatave. Rezultat i negociatave do të ishte marrëveshja e Ohrit dhe marrëveshja e Ohrit është pranuar (nga Kosova). Nga Serbia nuk është pranuar. Pse? Sepse kur shtetet e pranojnë edhe një marrëveshje së paku duhet të veprojnë në frymën e saj”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka thënë se nuk e di pse janë ftuar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të enjten në Bruksel.

“Nuk e di edhe pse është thirrur ky takim në Bruksel. Ne nuk kemi kohë t’i dëgjojmë premtimet e kota të Vuqiçit se është paqësor, ne jemi duke u përgatitur si Republikë dhe si Polici e Kosovës, për sulme të ardhshme të mundshme. Siç tha edhe ministri i brendshëm që grupe po ushtrojnë në Serbi”, ka shtuar Konjufca. “Ne ishim në tavolinë më 14 shtator. Dhjetë ditë më pas u sulmuam. Nuk po e di këtu negociatat fare nuk po funksionojnë. Kjo është arsyeja pse kemi lypur të hapet kapitull i ri”.

Deklaratat Konjufca i ka dhënë pas seancës gjyqësore ku po akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës më 2016.