Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë të premten se kërkesa perëndimore për ngritjen e Asociacionit nuk do të plotësohet, nëse nuk bën trysni bashkësia ndërkombëtare ndaj Serbisë për hapat drejt njohjes së Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Konjufca ka shtuar se nëse presioni vazhdon vetëm mbi Kosovën dhe Perëndimi nuk e bind dot Serbinë të nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit, ai nuk beson se këto përpjekje do të prodhojnë rezultate së paku në periudhën afatmesme të proceseve politike në Kosovë.
Ai ka theksuar se nuk i takonte Bashkimit Evropian të paraqiste draftstatutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian. Në të vërtetë, Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte një statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes. Sa i përket Bashkimit Evropian, po mundohem ndoshta ta shpjegoj arsyen se janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Kjo nuk i takon Bashkimit Evropian. Askund, në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet edhe krejt procesi i negociatave, nuk thuhet që propozimi i statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompetencë e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Konjufca ka deklaruar se Perëndimi nuk është serioz në mënyrën si po ia kërkon njohjen Serbisë për Kosovën.
“Unë mendoj se më shumë presion është bërë mbi Kosovën për asociacionin se sa mbi Serbinë për njohjen e Kosovës, nëse i krahasoni se për cilën çështje është bërë më shumë trysni. Kështu që unë mendoj se kjo është një qasje krejtësisht e gabueshme. Kjo qasje nuk do të japë rezultate fare. Kjo qasje përkundrazi e bën Serbinë që të ndihet komode dhe Kosovën bile e rrezikon si qasje sepse ne mund ta përjetojmë edhe sulmin e ardhshëm nga Serbia, ashtu si më 24 shtator”, është shprehur ai.