Ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tash deputet i zgjedhur i kësaj partie, ka ripërsëritur se nuk do ta votonin Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, nëse PAN-i vendos që ta kandidojë atë të rimarrë kreun e institucionit më të lartë në vend.
Në një intervistë për Kosovapress, duke e arsyetuar këtë ai ka thënë se “Veseli është në krye të krimit të organizuar, sa i përket politikës e po ashtu dhe kapjes së shtetit”.
“Ne nuk e votojmë Kadri Veselin për kryeparlamentar të Kosovës. Kadri Veseli është figura kyçe e të ashtuquajturit, proces i kapjes së shtetit, të cilin aq shumë e ka shpjeguar dhe Ramush Haradinaj. Tash ai është bërë bashkë me Kadri Veselin në kapje të shtetit”, ka thënë Konjufca.
Ai ka thënë se “Lëvizja Vetëvendosje vazhdon qëndrimin e saj të palëkundur konsistent që Kadri Veseli përbën shkelësin kryesor të interesit të qytetarëve dhe ai që në mënyrë konsistente e ka dhunu interesin e qytetarëve të Kosovës, ka tjetërsuar drejtësinë, e ka kapur gjyqësorin, e ka ngufatë Kosovën ekonomikisht”.
“Institucionet e pavarura i ka kthyer në institucione partiake dhe mbrojtjes së interesave klanore dhe është një njeri, i cili është në krye të krimit të organizuar sa i përket politikës. Kështu që në asnjë mënyrë Kadri Veseli që të votohet. Lëvizja Vetëvendosje në këtë mënyrë po vazhdon t’i mbajë vlerat e veta”.
Edhe
Konjufca e konsideron zgjedhjen e Veselit dëshpëruese për popullin e Kosovës
Ndërsa, sipas Konjufcës, metoda përmes së cilës po mundohen ta konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë mazhorancën parlamentare, e dëmton shtetësinë dhe e dëmton demokracinë, pasi që vota e qytetarit nuk shitet dhe as nuk blihet. Sipas tij koalicioni më i shëndetshëm për Kosovën, do të ishte një shumicë parlamentare e cila nuk varet nga Beogradi dhe nga kushtëzimet e Listës Serbe.
Vetëvendosje ka 32 deputetë në këtë legjislaturë.
-
Konjufca: Mikullovci e ndërpreu seancën për shkaqe shëndetësore, askush s’mund ta mbyll atë
-
VV e LAA ftojnë PAN-in të mos e kandidojë Veselin për kryeparlamentar
-
Konjufca: S’duam bllokim, por ka rëndësi emri i kandidatit për kryeparlamentar
-
Vetëvendosje nuk e voton Veselin për kryetar Kuvendi, po e mendon kundërshtimin