Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komunat duhet t’i hartojnë planet 3-vjeçare për buxhetin dhe t’i miratojnë në Kuvend

Procesi i hartimit të buxhetit dhe përgatitja e Kornizës Afatmesme Buxhetore për tre vjetët e ardhshëm gjatë muajit maj dhe qershor po shihet si mjaft sfiduese në Komunën e Lipjanit.

Derisa situata e pandemisë ua pamundëson mbajtjen fizike të dëgjimeve publike me qytetarë, Komuna është duke i shikuar mundësitë që këto të mbahen nëpërmjet ndonjë platforme “online” për t’i pranuar kërkesat e tyre rreth projekteve kapitale.

Përfaqësues të organizatës “YAHR” në Lipjan kanë thënë se është obligim ligjor i secilës komunë ta përfundojë këtë proces deri më 30 qershor.

Ndërkaq drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Lipjanit, Latif Ramadani, ka thënë se do t’i organizojnë dëgjimet publike me qytetarë nëpërmjet uebfaqes apo ndonjë platforme “online”, raporton KOHA.

Qytetarët kërkojnë që Komuna të gjejë mundësinë për t’i pranuar kërkesat e tyre rreth investimeve kapitale.

Komuna e Lipjanit gjatë këtij viti ka të miratuar buxhetin prej mbi 18 milionë eurosh, ndërkohë ai planifikohet të shpenzohet edhe për vitin 2021, megjithëse situata e pandemisë ka ndikuar në zvogëlimin e të hyrave vetjake.