Arbëri

Komunat ankohen se s’po mund të kryejnë shërbime të gjendjes civile

Regjistri civil - ekstrakte

Komunat janë duke u ankuar se nuk po mund të kryejnë shërbime të gjendjes civile për shkak të, siç kanë thënë, paralizimit të shërbimeve civile në sistemin e Agjencisë për Regjistrim Civil.

Në një njoftim të Komunës së Prishtinës të martën është thënë se Kolegji i Drejtorëve komunalë për administratë në kuadër të Asociacionit të Komunave “ka reaguar me shqetësim të thellë lidhur me paralizimin e shërbimeve të Gjendjes Civile në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës për ditën e dytë me radhë”.

“Ky paralizim ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të sistemit qendror të rrjetit, sistem ky që është në përgjegjësi tërësisht ekskluzive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrit Civil, dhe jo e Komunave”, thuhet në njoftim.

E njoftime publike kanë bërë edhe Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Podujevës.

Një ditë më parë, Agjencia për Regjistrim Civil njoftoi për problemin në sistem.

“Ministria e Punëve të Brendshme -Agjencia për Regjistrim Civil (ARC), njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se sot paradite është evidentuar një ndërprerje e përkohshme, respektivisht ngadalësim në funksionimin e sistemit elektronik të Gjendjes Civile, për shkak të disa problemeve teknike dhe ngarkesës në sistem”, u tha në njoftimin që vazhdoi me informatën se sistemi është rikthyer në funksion të plotë dhe se shërbimet ofrohen normalisht si dhe se qytetarët mund të marrin shërbimet pa pengesë.