Vushtrri, 15 mars - Me qëllim të komunikimit sa më të mirë dhe lehtë me qytetarë, si dhe të rritjes së transparencës, Komuna e Vushtrrisë inauguroi sot Qendrën e thirrjeve, përmes të cilës qytetarët do të marrin informacione për shërbimet që ata duan nga komuna.
Në inaugurimin e kësaj Qendre të thirrjeve, kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, ka vlerësuar se kjo do të ofrojë transparencë më të madhe nga komuna, komunikim dhe shërbime më të lehta. Ai tha se me daljen në objektin e ri të Komunës, do të krijohen kushte shumë më të mira.
Qendra e thirrjeve është pjesë e projektit të krijimit të Qendrës së Shërbimit të Qytetareve, të cilin Komuna e Vushtrrisë po e modernizon në kuadër të bashkëpunimit që ka me Komunën Vaxjo të Suedisë.
Qytetarët mund të telefonojnë në Qendra e thirrjeve të Komunës së Vushtrrisë në numrin pa pagesë 0800 42000, për pyetje, ankesa dhe informacione.
Shërbimi në Qendrën e thirrjeve do të jetë në dispozicion për qytetarë çdo javë, nga e hëna deri të premten, prej orës 08:00 deri 16:00.