Komuna e Prizrenit të hënën ka filluar veprimet për kthimin në gjendjen e mëparshme të hapësirës ku vite më parë kishte filluar në mënyrë të paligjshme ndërtimin e objektit të banimit kolektiv social.
Zyrtarët e Komunës së Prizrenit kanë pohuar se në këtë rast po zbatohet vendimi i Kuvendit të Komunës në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sikurse që po përmbushen edhe kërkesat e banorëve të lagjes “Dardania”.
“Me qëllim të harmonizimit të kërkesave dhe obligimeve që dalin nga aktgjykimi i gjykatës kushtetuese dhe në zbatim të vendimit të Kuvendit të Komunës të datës 13 tetor 2021, e cila obligon Komunën e Prizrenit të ndërmerr veprime të nevojshme ligjore, autoritetet komunale gjegjësisht Drejtoria e Inspektorateve, sot, ka filluar rrënimin e objektit, i cili është kontestuar nga banorët e lagjes "Dardania"” tha Joana Hoxhaj, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit.
Banorët e lagjes “Dardania”, që vite më parë patën kundërshtuar ndërtimin e këtij objekti, kanë kërkuar që hapësira të kthehet në gjendjen e mëparshme.
“Këtu 3 mandate të qeverive komunale janë ndërruar, tash është e treta, dhe më në fund ky objekt po rrnëohet. Edhe atë jo me vendim të Gjykatës Kushtetuese por Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Prokurorinë për me ndërmarr masa. Ne jemi munduar sa herë, ata kanë kërkuar me bë marrëveshje për me bo dicka me destinim tjetër. Normalisht ne s’kemi pranuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pakthyeshëm", tha Fadil Hoxha, banor.
Banorët e lagjes “Dardania” në Prizren për më shumë se një dekadë kanë pritur që organet komunale ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Planin Urban për këtë pjesë të qytetit.
Shkresat e tyre në adresë kishin mbetur pa përgjigje prej vitit 2012, ani pse edhe Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar informata nga Komuna e Prizrenit lidhur me zbatimin e vendimit të saj.
Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës muaj më parë ka vendosur që të nxjerrë Aktvendimin për Mospërmbarimin e aktgjykimit të saj.