Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kompanitë e mbeturinave kërkojnë mbështetje financiare nga Qeveria

Asociacioni i kompanive të Menaxhimit të Mbeturinave (PAMKOS) ka kërkuar mbështetje institucionale për kompanitë regjionale të mbeturinave.

Sipas njoftimit, për shkak të situatës me COVID-19 iu është vështirësuar gjendja ekonomike dhe qytetarët u kanë mbetur borxh me dhjetëra miliona euro.

“Këto probleme me të cilat përballen kompanitë e menaxhimit të mbeturinave janë duke ndikuar drejtpërsëdrejti në qëndrueshmërinë financiare të këtyre kompanive si dhe në kushtet e operimit nëpër kompani; referuar flotës skajshmërish të amortizuar me të cilat ofrojnë shërbimin për qytetarë, kushte jo të mira të punës, mungesë të objekteve operative etj”, thuhet në njoftim.

Në takim me ministrin në detyrë të ekonomisë, u kërkua rishikimi i mundësisë së mbështetjes financiare për të gjitha kompanitë e menaxhimit të mbeturinave në nivel vendi duke synuar në tejkalimin e sfidave financiare nëpër këto kompani, sfida këto që sipas tyre, afektojnë drejtpërsëdrejti në ndikim në mjedis, mirëqenien e qytetarëve dhe parandalimin e epidemive.

“Njëherësh, PAMKOS u shpreh e gatshme që të bashkëpunojë për të gjitha projektet kapitale në vend dhe në veçanti për ato që si bazë investimi i kanë fondet ndërkombëtare dhe për këtë do të jetë gjithmonë zëri i menaxhimit të mbeturinave dhe ambientit, i cili qartazi synon të ofrojë shërbime profesionale në menaxhimin e mbeturinave në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.