Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni i Integrimit Evropian i Shqipërisë jep mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur një delegacion të Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë, të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi.

Sipas njoftimit për media, në takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën integrimit evropian dhe politikës së jashtme dhe për nevojën e përhershme për bashkërendim dhe koordinim.

Bëhet e ditur se gjatë takimit delegacioni dha mbështetjen e tyre të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit të kaluar, dhe në Këshillin e Evropës, të dorëzuar në maj të vitit 2022.

“U bisedua gjithashtu edhe për marrëdhëniet e ngushta të dy vendeve dhe komunikimin e afërt ndërinstitucional, si dhe për zbatueshmërinë e marrëveshjeve bilaterale, me theks ato në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimit tregtar. Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku në emër të delegacionit e uroi kryeministrin Kurti për përvjetorin e 15-të të pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Kurti i falënderoi deputetët për vizitën, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për gatishmërinë për të bërë edhe më shumë në shërbim të thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Me të njëjtin delegacion takim ka pasur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Delegacioni në fjalë, i përbërë nga Jorida Tabaku, Flutura Açka, Kreshnik Çolaku, deputetë të Partisë Demokratike, Etilda Gjonaj, Gerta Duraku, Lavdrim Krrashi, deputetë të Partisë Socialiste dhe Erisa Xhixho, deputete nga Partia e Lirisë, po qëndron në Kosovë ku po zhvillon takime me përfaqësues institucionalë dhe liderë politikë.