Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përkrah aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Kryeministri, Albin Kurti, të mërkurën ka pritur në takim Bordin Drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), të kryesuar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim është diskutuar për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), për të cilin Kurti ka thënë se i përgjigjet thirrjes dhe aspiratave të qytetarëve të Kosovës, që thuhet se, besojnë se e ardhmja e tyre është në BE.

“U theksua besimi se momenti është i duhur, duke marrë parasysh faktin se Kosova është vendi më demokratik në rajon”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se KASH-i ka shprehur përkrahjen e plotë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

“U bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të nismave në mbështetje të proceseve integruese të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shprehu kënaqësinë dhe përkrahjen e plotë për aplikimin e sotëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.