Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KOMF: Rasti i 5-vjeçarit në Lipjan dëshmon dështimin institucional, kërkohet hetim e reforma urgjente

KOMF

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka reaguar për rastin e rëndë të një fëmije 5-vjeçar nga Komuna e Lipjanit, i cili është dërguar në gjendje kritike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim nga prindërit.

Sipas KOMF-it, rasti është alarmues pasi familja kishte qenë e njohur për institucionet për katër vjet me radhë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre”, thuhet në reagim. 

KOMF-i tutje ka theksuar se shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë për fëmijët në rastet kur familja dështon, duke kërkuar hetim të plotë institucional. 

Sipas tyre, hetimi duhet të përfshijë të gjithë zinxhirin e institucioneve të përfshira në këtë rast, si dhe të sigurojë llogaridhënie dhe përgjegjësi në bazë të gjetjeve.

“Ky rast rikonfirmon nevojën urgjente për reforma rrënjësore dhe investime të menjëhershme në sistemin e mbrojtjes sociale. KOMF-i kërkon fuqizimin e kapaciteteve përmes rritjes së numrit të punonjësve socialë dhe profileve të tjera profesionale në Qendrat për Punë Sociale, në mënyrë që asnjë rast të mos mbetet pa trajtimin e duhur”, thuhet më tej në komunikatë.