Dështim i shtetit është kualifikuar ngjarja e rëndë e keqtrajtimit të një pesëvjeçari në Lipjan nga prindërit që tashmë janë arrestuar nën këtë dyshim. Sociologë e përfaqësues të qendrës së shëndetit mendor e vlerësuan të gabuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që prindërve t’u kthehen në përkujdesje fëmijët që për vite jetuan në strehimore. E ndaj tyre të mërkurën u caktua paraburgim prej 30 ditësh
Dështim të institucioneve të shtetit e kualifikuan sociologë dhe përfaqësues të qendrës për shëndetin mendor ngjarjen e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Lipjan, në të cilën dy prindër u arrestuan nën dyshimin për keqtrajtim të fëmijës së tyre pesëvjeçar.
Rasti u zbardh pasi fëmija u dërgua në Qendrën Klinike Universitare, si pasojë e plagëve të rënda në shputa të këmbëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKOHA mësoi se shtatë fëmijët e kësaj familjeje për vite me radhë jetuan në strehimore deri kur Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendosim që ata t’i kthehen familjes biologjike.
E këtë vendim, sociologu Genc Xërxa e kualifikoi të gabuar.
“Kemi një huqje të institucioneve relevante mbi mirëqenien dhe strehimin e fëmijëve. Rekomandimi apo sugjerimi që t’u kthehen familjarëve nuk është bërë në mënyrë profesionale, sepse duke ditur që prindërit nuk kanë qenë të gatshëm, fëmijët nuk është dashur të kthehen tek ta. Dhuna ka vazhduar, ndërsa njëri prind ka edhe probleme patologjike psikologjike, kështu që është dashur ta rimendojnë, ta rishqyrtojnë dhe ta marrin vendimin në mënyrë më profesionale, duke i privuar fëmijët nga këto keqtrajtime, të cilat kanë pasoja më pas”, tha Xërxa.
Një banor i lagjes ku jetoi familja tha se ka qenë dëshmitar i dhunës, porse rastin nuk guxoi ta raportojë te autoritetet.
“I ka rrahur gjithë edhe deri në 12 të natës ata kanë bërtitur, gjithë i kam dëgjuar edhe gjithë më ka ardhur gjynah prej tyre se ata nuk kanë faj, këta dy nuk janë mirë asnjëri… nuk kemi guxuar se janë të rrezikshëm”.
Shtëpia e familjes ndodhet rreth 20 metra larg Stacionit të Policisë në Janjevë.
Rasti i familjes, sipas drejtorit ekzekutiv të Qendrës për Shëndetin Mendor, Bind Skeja, ka qenë i njohur për institucionet, ndërsa ia barti Ministrisë së Shëndetësisë përgjegjësinë për mungesë të monitorimeve, pas vendimit të Gjykatës.
“Gjykata i ka kthyer fëmijët dhe kjo hallka e shëndetit mendor, që është dashur të vazhdojë me monitorim dhe mbështetje të familjes, nuk u funksionalizua. Nuk ka shkuar për të monitoruar dhe për të parë nëse prindërit mund të kujdesen dhe t’u ofrojnë mbështetje fëmijëve. Prandaj, ne e drejtojmë fajin; një përqindje e konsiderueshme i takon Ministrisë së Shëndetësisë, sepse psikiatria në Kosovë nuk ka kapacitet të shkojë në çdo komunë dhe t’i monitorojë”, theksoi Skeja.
KOHA pyeti Gjykatën Themelore lidhur me vendimin dhe ka kërkuar qasje në të, porse nuk mori përgjigje.
E sociologu Xërxa tha se rast është tregues i problemeve më të thella në shoqëri.
“Gjykata e ka marrë vendimin, por po shihet se ai nuk është i drejtë. Në njëfarë forme, kjo mund të jetë vetëm maja e ajsbergut; kush e di sa problematika të tilla ekzistojnë brenda shoqërisë sonë, për të cilat nuk ka një qasje adekuate ndaj fëmijëve dhe pjesëtarëve të familjes”, deklaroi Xërxa.
Në Klinikën e Pediatrisë njoftuan gjatë ditës se pesëvjeçari iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në shputa dhe se gjendja e tij është stabile. Ndaj dy prindërve të tij u caktua masë paraburgimi prej 30 ditësh.
E gjashtë fëmijët e tjerë janë marrë në përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale.