Me xhaketë ushtarake, pantallona e këpucë civile, Komandanti Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka inspektuar pjesëtarët e FSK-së, vetëm pak orë para se Kuvendi të miratojë ndryshimin e mandatit të tyre.
Meritorët kryesorë të shndërrimit në Ushtri, ai ka thënë të jenë vetë ushtarakët e Forcës, për çka ka thënë se ka ardhur personalisht t’i falënderojë, për ditën e madhe që do të ndodhë të premten.
Duke folur para tyre, presidenti tha se populli i Kosovës krijoi ushtrinë para se të fitojë lirinë, pavarësinë dhe shtetin.
Derisa, ka ndërlidhur misionin e FSK-së me atë të TMK-së dhe UÇK-së, duke thënë se pas demilitarizimit u krijuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pastaj me ngritjen e nivelit të përgatitjes, u avancuan në Forcë të Sigurisë së Kosovës.
Thaçi ka siguruar NATO-n dhe shtetet e rajonit se FSK-ja me mandat ushtarak nuk do të jetë rrezik për paqen, por kontribuese e saj.
Si komandat suprem, i ka lutur ata që të jenë të drejtë dhe në shërbim të vendit duke mos tradhtuar asnjëherë misionin e tyre të shenjtë, duke i shërbyer e mbrojtur me dinjitet e krenari pavarësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Në fund, presidenti ka inspektuar edhe mjetet ushtarake të Forcës, Humvee-it që erdhën këtë javë nga Amerika, e të cilët Forcës i kushtuan 7 milion euro, e po ashtu edhe autoblindat Otokar Cobra që u blenë vitin e kaluar nga Turqia.