Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

FSK-ja për herë të parë me dy ceremoni të ndara - një për Qeverinë e Parlamentin e tjetrën për Presidentin

12 vjet pasi Kosova ka shpallur shtetësinë e saj, ndasia mes institucioneve të Kosovës është bërë më e dukshme se çdoherë tjetër.

Ushtria e Kosovës është ajo që ka vënë në pah mospajtimet mes liderëve të institucioneve, raporton KTV.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në mesditën e 12-vjetorit të Republikës, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani për herë të parë, të veshur me epitetin e liderëve shtetërorë, u janë drejtuar ushtarakëve të Kosovës.

Aty sërish, për herën e parë, nuk ishte komandanti suprem i FSK-së, Hashim Thaçi, i cili ka rezervuar pasditen e 12-vjetorit për të vizituar ushtrinë.

Për Kurtin e Osmanin nuk pati rreshtim, por nga salla e sportit të kazermës “Adem Jashari” kryeministri Kurti i ka dërguar mesazh presidentit Thaçi.

Kurti ka kujtuar se Kosova është vend parlamentar dhe se institucionet e saja, si Parlamenti dhe Qeveria, zgjidhen direkt përmes votave të popullit dhe ato kanë të drejtën për të folur në emër të shtetit.

Kryeministri ka ritheksuar se do të punojë për unifikimin e politikës së jashtme, që për Kosovën të flitet njëzëri.

Ndërkaq ka shtuar se zbatimi i detyrueshëm i shërbimit ushtarak do të jetë investim në mbrojtje, por jo për të sulmuar ndokënd.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka theksuar se duke qenë bashkëshortja e një ushtaraku, e di vlerën dhe rëndësinë e uniformës.

Sipas saj, vendimi i ushtarëve për ta sakrifikuar veten në momentin kur e kanë veshur uniformën është i shenjtë, andaj ajo ka premtuar se anëtarësimi në NATO do të jetë mision i saj dhe i institucioneve të Kosovës.

Forca e Sigurisë e Kosovës mori misionin ushtarak më 14 dhjetor 2018 përmes ndryshimeve legjislative, pasi që ndryshimet kushtetuese ishin të pamundura për shkak të bllokimit që atë kohë e bënin deputetët e Listës Serbe.