Arbëri

Kolegët kujtojnë profesorin Zejnullah Gruda

Të mbledhur në Amfiteatrin e madh të Fakultetit Juridik, kolegët kanë kujtuar profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Zejnullah Gruda. Profesori Enver Hasani dhe dekani Avni Puka, tri ditë pas vdekjes, e kanë vlerësuar Grudën si intelektual të përmasave botërore.

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Avni Puka, ka thënë se nga viti 1969 deri sa është pensionuar me përjashtim në vitet sa ka qëndruar në botën e jashtme, Gruda ka ligjëruar lëndët “E drejta ndërkombëtare publike”, “E drejta diplomatike”, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut” dhe “E drejta e mjedisit”.

Në fjalën e tij të shkurtër, Puka ka thënë se mbi 12 vjet, Gruda kishte shërbyer në detyra publike, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Panamasë në vitet 1975-1978, anëtar i këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës dhe sekretar për marrëdhënie me botën e jashtme, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të kuq të Ish-Jugosllavisë.

Ai ka thënë se Gruda si një nga profesorët e parë dhe intelektualët e shquar shqiptar në ish-jugosllavi do të kujtohet si model shembullor i studiuesit të pasionuar.

“Ishte një nga profesorët e parë dhe intelektualët e shquar shqiptar në ish-jugosllavi. Do të kujtohet si model shembullor i studiuesit të pasionuar”, ka thënë ai për profesorin që vdiq të dielën, në moshën 84-vjeçare.