Arbëri

Zejnullah Gruda – profesori, diplomati e studiuesi i niveleve të larta

Gruda kishte ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës deri në pensionim dhe ishte angazhuar edhe më tej. Krahas punës së tij në edukim, ai kishte vazhduar që të pasuronte literaturën shkencore nëpërmjet studimeve të tij. Doktorata e tij për Kanalin e Panamasë ishte futur në kuadër të literaturës së obligueshme për studentët e magjistraturës në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Beogradit

Profesor i së drejtës ndërkombëtare, diplomat deri në nivel të ambasadorit të ish-Jugosllavisë, ministër e studiues i zoti, Zejnullah Gruda ka vdekur të dielën. Ai ishte 84 vjeç.

Me vdekjen e Grudës, Kosova ka humbur njohësin e mirë të së drejtës ndërkombëtare - studiuesin, veprat e të cilit ishin pjesë e literaturës së detyrueshme edhe në Universitetin e Beogradit- e midis të tjerash edhe dëshmitarin e një varg procesesh historike që ka kaluar vendi. Portreti prej intelektuali i Grudës shkonte deri te njohësi i letërsisë e studiues i disa veprave të shkrimtarëve me nam botëror.

I lindur në Pejë më 1936, ai ishte ndër profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, i shkolluar në Beograd dhe Sarajevë për jurisprudencë.

Gjatë viteve 1975-1978 kishte shërbyer si ambasador i Jugosllavisë në Panama. Gruda ka mbajtur pozitën e sekretarit të parë për marrëdhënie me botën e jashtme në kuadër të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Kjo pozitë ishte në ekuivalencë me atë që tash është ministri i Punëve të Jashtme. Po ashtu, ishte edhe kryetar i Kryqit të Kuq të ish-Jugosllavisë. Gruda kishte ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës deri në pensionim dhe ishte angazhuar edhe më tej. Krahas punës së tij në edukim, ai kishte vazhduar që të pasuronte literaturën shkencore nëpërmjet studimeve të tij. Doktorata e tij për Kanalin e Panamasë ishte futur në kuadër të literaturës së obligueshme për studentët e magjistraturës në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Beogradit.

“E drejta ndërkombëtare publike”, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut” dhe “Manuali diplomatik” janë disa prej veprave të vlerësuara jo vetëm në rajon, por edhe ndërkombëtarisht.

Nga viti 2011 deri më 2013 ai udhëhoqi Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Ai nuk ishte ndalur së dhëni kontribut në jetën publike në vend. Ishte bërë shumë i zëshëm në vitet 2015 dhe 2016, kur vlonte debati për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Për këtë kishte botuar një seri tekstesh në shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore”. E në tetor të vitit 2016 kishte botuar librin “Kufiri në dëm të shqiptarëve”.

Një libër që përmbledh autorët më të rëndësishëm botërorë të së drejtës ndërkombëtare, praktikat më të rëndësishme të shteteve në lidhje me mosmarrëveshjet lidhur me demarkimin e kufirit dhe jep argumente për këtë. “Kufirin në dëm të shqiptarëve” ishte vënë në dispozicion të lexuesve nga Gruda. Asokohe kishte thënë se ka përmbushur një detyrë njerëzore e profesionale. Kontributi i tij më i rëndësishëm sa i përket kufirit mes Kosovës e Malit të Zi është cilësuar referenca që Gruda i bën Komisionit të Gjillasit, që thotë se kufiri ka qenë në Çakorr. Kjo vepër ishte një prej gjashtë titujve të rinj të Botimeve KOHA në Panairin e Librit të atij viti.

“Ajo që kam provuar ta shpjegoj, natyrisht kur e kam llogaritur se mund të kontribuoj, është lëmi i së drejtës ndërkombëtare, pasi problemi i kufijve dhe përcaktimi i tyre është fushë e së drejtës ndërkombëtare publike”, kishte thënë Gruda duke shtuar se në bibliotekën e tij personale ka thuajse të gjitha librat e rëndësishëm të kësaj fushe, duke nisur prej Argjentinës deri në Australi, Zelandë të Re, Indi, ShBA, Angli, Spanjën etj.

Vdekja e Grudës është parë si humbje e madhe për vendin edhe nga udhëheqësit institucionalë.

“Sot iku edukuesi i shumë brezave, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, por shembulli i tij e vepra që la pas do të jetojnë përgjithmonë. Ngushëllime familjes Gruda, si dhe të gjithë bashkëpunëtorëve e brezave të shumtë të studentëve që patën nderin ta kenë Profesor”, ka shkruar në Facebook ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani.

E kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka shkruar se me pikëllim të thellë e ka pranuar lajmin “për shkuarjen në amshim të profesorit të nderuar universitar të së Drejtës Ndërkombëtare, Zejnullah Gruda”.

“Në emrin tim dhe të Qeverisë, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, studentëve dhe bashkëpunëtorëve. Qoftë i paharruar kujtimi për jetën dhe veprën e profesorit Gruda!”, ka shkruar Hoti.

Në fund të vitit 2016 në një rrëfim për “Kohën Ditore”, Gruda kishte treguar se si qëndron larg teknologjisë. Nuk përdorte as telefon mobil. Në një artikull të titulluar “Profesori që refuzon teknologjitë e reja”, tregohej se gjatë kohës së shkollimit, kur është formuar dhe kur ka mbajtur mësim dhe është marrë me punë shkencore, libri dhe revistat shkencore kanë qenë burimet e vetme. Kishte thënë t’i kenë mjaftuar ato, ngaqë, në parim, ishin botuar libra të mirë dhe të vlefshëm falë autorëve seriozë, por edhe falë mekanizmave kontrollues: shtëpive serioze botuese, këshillave botues, recensioneve e të tjerë, të cilët kanë garantuar se nuk botohet çkado qoftë. Sipas tij, kësaj i ka shkuar në favor edhe fakti se shteti dhe institucionet kanë pasur qëndrim shumë të mirë ndaj librit.

Për ilustrim kishte përmendur faktin se në fillim të viteve gjashtëdhjetë, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës ishte i parapaguar në gjashtë-shtatë revistat juridike më të mira në botë, nga SHBA-ja, BRSS-ja, Franca, Mbretëria e Bashkuar e të tjera, por edhe në revista që botoheshin në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

“Tashti shkoni dhe pyetini sa libra ka blerë Fakulteti, dhe jo vetëm ky, për 15 vjetët e fundit, sa revista nga jashtë marrin sot, por edhe ku janë ato të blera atëherë”, sfidonte Gruda. “Dhe, si kulm i krejt kësaj është diçka që mua më ka ndodhur, që nuk kam mund ta bind një institucion bibliotekist të marrë si dhuratë disa qindra libra, të gjitha botime të reja në gjuhën angleze, sikurse nuk kam mundur të siguroj afro 1600 euro për blerjen e mëse 600 titujve për një institut që e ka titullin ‘për kërkime shkencore’, për shkak se ndryshe nga më përpara, shoqëria, shteti dhe institucionet ndajnë mjete minimale për libra ose nuk ndajnë fare”, kishte thënë ai.