Kohavisioni më 22 shtator shënon 20-vjetorin e themelimit. Rrumbullakohet historia dydekadëshe e kanalit televiziv që lindi si nevojë e informimit të publikut në një kohë kur vendi hapi kapitullin e pasluftës së fundit.
Në jubileun e vet, KTV-ja vazhdon të informojë shpejt e saktë. Përderisa ndër vite skema programore i ka forcuar ngjyrat e mozaikut të emisioneve, televizioni është rritur edhe më. Rrugëtimi që nisi më 22 shtator të vitit 2000 do të shpaloset nga stafi pikërisht në ditëlindjen e KTV-së.
Java në Kohavision do të jetë e mbushur me emisione të cilat tashmë vijnë në oraret e tyre të rregullta, mirëpo secili do të sjellë përmbajtje të veçantë dedikuar këtij jubileu të rëndësishëm.
E marta do të jetë festë prej orës 07:00 të mëngjesit, duke filluar me edicionin special të emisionit “SOT” dedikuar 20-vjetorit. Për mbi katër orë program, shikuesit do të kenë mundësi të jenë në shoqëri të materialeve interesante të përgatitura nga ekipi i emisionit të mëngjesit në KTV, derisa bashkë me Agnesën dhe Drenushën do të vijë edhe një bashkëprezantues i veçantë, të cilin shikuesve u mbetet ta zbulojnë. Por kjo është vetëm uvertura e një maratone programore.
Dy dekadat e rrugëtimit të televizionit janë një kapitull i veçantë historie në informimin e publikut. Problemet me të cilat përballen qytetarët e vetë shteti janë pasqyruar ashtu sikurse sukseset në fusha të ndryshme. Për krejt këtë punë, stafi i KTV-së ka një histori më vete.
Simbol i gazetarisë së pastër
Krejt puna ndër vite nuk ka se si të mos pasqyrohet me një program atraktiv. Ekipet e montazherëve, kameramanëve, punëtorët e dhomës së regjisë dhe jo vetëm, do të parakalojnë nëpër program duke ndarë me shikuesit momentet më të rëndësishme dhe të paharruara të punës në Kohavision në dy dekada. E rrëfimet do të shpalosen edhe në monografinë “KTV 20” kushtuar jubileut. Drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, në një tekst autorial në Monografi ka shkruar se tashmë kompania ka 240 të punësuar me bashkëpunëtorë të jashtëm duke luftuar për pavarësinë, editoriale në rend të parë, dhe si gjithmonë, duke ecur me KOHËN.
Pos Kohavisionit, shtatori shënon edhe një tjetër jubile – 30-vjetorin e KOHËS. Më 1 shtator 1990 do të themelohej redaksia e revistës KOHA, e puna filloi me tre laptopë, në selinë në “Kodër të Diellit”. Më 26 shtator të atij viti u botua numri i parë i revistës KOHA (dyjavore).
“Para 30 vjetësh, kur doli numri i parë i revistës KOHA, ajo u bë simbol rebelimi ndaj diktaturës. Sot KOHA është simbol i gazetarisë së pastër, simbol i rebelimit ndaj bastardimit të profesionit për interesa politikanësh e tyxharësh”, ka shkruar, midis të tjerash, Surroi. Sipas saj, KOHA do të vazhdojë të ecë në ndjekje të përhershme të teknologjisë dhe njohurive që mundësojnë përmbushjen e misionit dhe ruajtjen e idealit.
Ky jubile televizionin e gjen me redaksi të bashkuar me atë të së përditshmes “Koha Ditore”.
Shefi i Redaksisë së bashkuar, Agron Bajrami, njëherësh kryeredaktor i “Kohës Ditore”, KTV-në e ka quajtur më shumë se një televizion.
“Por, në asnjë moment në këta 20 vjet, në asnjë sekondë të dy dekadave që mbush ky televizion, bashkë me 23 vjetët e ‘Kohës Ditore’, dhe 30 prejse nisi “Koha e parë”, ajo javore, synimi nuk ka ndryshuar: të bëhet gazetari profesionale, e paanshme, e pavarur, në shërbim të së vërtetës, të interesit publik, dhe ndërtimit të shtetit demokratik e të zhvilluar”, ka shkruar Bajrami, i cili është edhe bashkautor i emisionit “Desku”.
Programi ekskluziv
Programi televiziv i së martës do të pasqyrojë KTV-në nga perspektiva të ndryshme.
Gjatë ditës, në kuadër të programit do të vijnë edicionet speciale të emisioneve “Top Koha Music”, “Jeta” dhe “Programi Fluturues i Fëmijëve” për t’i lënë vend emisionit të pasdites në KTV, “Express” i cili po ashtu do të vijë me orar të zgjatur prej orës 16:00 deri në 19:00. Ekipi i emisionit “Express” po ashtu do të sjellë përmbajtje të veçantë për këtë përvjetor.
Kalimi i KTV-së në hapësirat e reja, integrimi i redaksive të grupit KOHA dhe mini-muzeu i KOHËS do të vijnë në ekranet e shikuesve nëpërmjet materialeve të ndryshme. Bisedat në studio do të zhvillohen me disa prej figurave televizive që kanë kaluar ndër vite në Kohavision, nga prezantueset e lajmeve si Albërie Prenaj, Edona Zogu e Anita Muçaj deri tek prezantuesit e emisioneve argëtuese si Vjosa Shala, figura, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë pjesë e Kohavisionit, si Edona Bekteshi, Edona Binaku e Linda Haxhibrahimi.
Mbrëmja do të jetë e rezervuar për emisionin qendror politik “Desku” për të vazhduar me disa prej fragmenteve të dalluara nga koncertet e realizuara ndër vite nga KOHA në shënim të përvjetorëve të saj. E si gjithmonë dita maratonike do të përmbyllet me “Interaktivin”.
KOHA do të vazhdojë të ecë
Për Kohavisionin, 2020-a shënon edhe një etapë të re. Jo vetëm që ka arritur në ditëlindjen e 20-të, por edhe sepse është shtrirë në hapësirë të rinovuar e me ambiente moderne pune, por edhe është bërë bashkë me të gjitha mediumet e Grupit KOHA.
Përmbajtje e veçantë do t’i kushtohet edhe kësaj pjese të rrugëtimit të KTV-së dhe Grupit KOHA.
Për secilën njësi të Grupit KOHA mund të shkruhen histori të veçanta. Natyrisht, edhe personale.
“Kohavisioni është shtylla e palëkundur e jetës sime në të cilën jam rritur, jam formuar dhe vazhdoj të kontribuoj me gjithë qenien time, atë të cilën edhe e kërkon ky medium, e që është vullneti, kreativiteti dhe paanshmëria. Gëzuar dydekadëshin KTV!”, ka shkruar në Monografi Rea Surroi, producente e KTV-së.
Brikenda Rexhepi, zëvendësshefe e Redaksisë së bashkuar ka shkruar se platformat e KOHËS si gazeta, televizioni e portali, ndonëse të një shtëpie, redaksitë për shumë vjet kanë operuar të ndara. Sipas saj, sivjet, saktësisht më 17 shkurt, KOHA ka adoptuar modelin e gazetarit universal duke u bërë bashkë jo veç fizikisht në një objekt, por edhe nën një ombrellë organizative.
“Një proces që ka sfiduar secilin prej nesh me mënyrën e re të punës, por udhëhequr nga parimet e vjetra të gazetarisë së pavarur”, ka shkruar Rexhepi.
Derisa ka përmendur risitë e vitit 2020 për KOHËN, producenti i KTV-së, Dardan Selimaj, ka shkruar se ndryshe nga e shkuara, tashti ditën e nis me një “takim” të veçantë me “Murin e KOHËS”, i cili në 6 metra katrorë bart historinë e gjithë mediumit dhe rritën e tij ndër vite.
Sipas tij, është edhe simbol i bashkimit të Grupit KOHA.
“Murin nuk e kisha përballë në zyrën e vjetër, sepse ai ndodhej në gjysmën tjetër të trupit të KOHËS (në selinë e “Kohës Ditore”) dhe sa herë që doja të shkruaja për KOHËN, kafja e mëngjesit te bufeja e kolegët e gazetës përballë me “murin” ishin inspirim për të shkrirë në fjalë dhe përshkruar vizionin që nuk soset”, ka shkruar Selimaj në “KTV 20”. Ka rrëfyer se ndër vite shumë kanë ecur bashkë me këtë vizion, disa janë larguar, të tjerë janë bashkuar, por ecja drejt së ardhmes nuk ndalet edhe në ditët më hibride të skenës mediale të krijuar në Kosovë.
Por edhe skena mediale, sikurse fushat e tjera, sivjet është goditur nga pandemia.
Drejtori i Televizionit, Berat Bicaj, ka shkruar se për gjashtë muaj ballafaqim me pandeminë COVID-19, industria televizive është goditur, dhe jo pak. “Porse me gjithë telashet, ne nuk do të ndalemi edhe për shumë vite të jemi ata që jemi qe 30 vjet – të paanshëm e të pavarur, duke ofruar informim në kohë reale”, ka shkruar ai në Monografi.
Përvjetori në skemën programore nuk do të sjellë vetëm rrëfime e histori prej më të ndryshmeve. Për disponim e humor ditor e me shije do të vijnë në periudha të ndryshme të ditës materiale me porosi të veçanta nga personazhet e rubrikës së popullarizuar “Gjithologët”.
KOHA do të vazhdojë të ecë, në ndjekje të përhershme të teknologjisë dhe njohurive që do të na e mundësojnë përmbushjen e misionit tonë dhe ruajtjen e idealit tonë, është porosia e Grupit KOHA. Urime ditëlindjen KTV!