Arbëri

Çerekshekulli i KTV-së së pavarësisë, profesionalizmit e besueshmërisë

Foto nga koncerti solemn “25 vjet Kohavision”, më 17 shtator 2025 (Foto: Driton Paçarada)

Foto nga koncerti solemn “25 vjet Kohavision”, më 17 shtator 2025

Foto: Driton Paçarada

Në historinë e re të Kosovës, 22 shtatori i vitit 2000 nuk është vetëm data kur Kohavisioni, nisi transmetimin: është dita kur në skenën mediatike u hap një dritare e pavarësisë, profesionalizimit dhe besueshmërisë. Njësoj si sot, kur shënon çerekshekullin. Kohavisioni është televizioni që i reziston kohës, përherë në mbrojtje të së vërtetës. Sepse këto janë parimet mbi të cilat u ngrit. Dhe misioni vazhdon...

Në Kosovën e pasluftës së fundit, ndërtimi, rindërtimi e themelimi ishin përditshmëri. Vendit tashmë të çliruar – pos të tjerash – i duheshin edhe platforma mediatike. Kosova s’kishte përvoja me televizione të pavarura. Gazeta “KOHA Ditore” tashmë ishte shembull suksesi.

Prej marsit të vitit 1997, kur nisën numrat ditorë, ajo u bë lajmëtarja e krizave të atëhershme, më pas masakrave, betejave e nuk u ndal deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s në marsin e 1999-s. Më pas u zhvendos në Maqedoninë e atëhershme për t’u kthyer në seli pas çlirimit. Tashmë raportimet rrëfenin për lirinë, viktimat, kthimin e të burgosurve, rindërtimin e themelimin e institucioneve të asaj kohe.

E, themeluesi i “KOHËS Ditore”, Veton Surroi, vendosi që të pasuronte mjedisin mediatik edhe me Kohavisionin, si televizionin e parë të pavarur në vend.

Deri tash, për 25 vjet Kohavisoni shpërfaqi në ekran rindërtimin e vendit, lajmet politike, ekonomike, kulturore, zhvillimet në botë e emisione të natyrave të ndryshme. Pavarësia, profesionalizmi e besueshmëria u bënë trinomi i pakompromis i kësaj platforme të Grupit KOHA. Pavarësisht vështirësive të funksionimit në një ambient me demokraci në konsolidim e sipër, nuk u lëshua pe. Dhe, misioni vazhdon.

Flaka Surroi: “Qëndruam dhe do të qëndrojmë për shkak se janë së paku tri gjëra që nuk i kemi humbur kurrë: pavarësinë, besueshmërinë dhe profesionalizmin” (Foto: Driton Paçarada)

“Pjesë e rëndësishme e transformimit të Kosovës”

Dita e 22-të e shtatorit të vitit 2000 qe koha kur Kosovës iu shtua edhe një kanal televiziv. Në ekran u paraqit Anita Muçaj. Njoftoi se shikuesit po ndiqnin lajmet në KTV, se ajo qe dita e parë e vjeshtës dhe më pas u vazhdua me kronikat e përgatitura. Fushata elektorale, e para në Kosovën e lirë, zuri hapësirën e minutave të parë të atij edicioni. Me njerëz të rinj, pa shumë përvojë, por me alamet vullneti e me trajnime në vend e jashtë, Kohavisioni nisi një etapë të re: atë të dokumentimit vizual të asaj që po ndodhte në Kosovë. Televizioni i parë jopublik – sikurse tash – funksiononte në aneksin e asaj që ishte Radio-Prishtina. Një ambient asokohe të ngushtë përgatiteshin kronika të shumta. Përballë këtij kanali televiziv qytetarët u informuan për zgjedhjet e para në Kosovë, rrugën e vendit në liri, negociatat e Vjenës, Shpalljen e Pavarësisë e shumë zhvillime të tjera të rëndësishme.

Nëpër kokë duhet t’i jetë orvatur gjatë, por fundi i shekullit të kaluar është koha kur gazetari, publicisti, shkrimtari e politikani Veton Surroi do ta tirrte mirë idenë e themelimit të një kanali televiziv.

“Në vitin 1998 kisha idenë që do të duhej të përgatisnim një staf, një ekip i cili pas çlirimit do të mund të fillonte me televizionin. E dija që ishte e pamundur që të bëhej gjatë okupimit. Por mendova se menjëherë pas çlirimit do të duhej ta kemi një staf të gatshëm”, thotë ai çerekshekulli pas.

Ky rrëfim shfaqet përballë një numri të madh mysafirësh në festën e 25-vjetorit. Të mbledhur në një ambient të veçantë në periferi të kryeqytetit, ish-punonjës, stafi aktual e shumë mysafirë festuan këtë jubile. Ansambli vokal “Zanat” nën shoqërimin e pianistes Pranvera Hoxha, kanë sjellë këngët e trashëgimisë muzikore të këtyre anëve, bashkë me atmosferën shumëngjyrëshe festive.

Veton Surroi: “Në vitin 1998 kisha idenë që do të duhej të përgatisnim një staf, një ekip i cili pas çlirimit do të mund të fillonte me televizionin. E dija që ishte e pamundur që të bëhej gjatë okupimit. Por mendova se menjëherë pas çlirimit do të duhej ta kemi një staf të gatshëm” (Foto: KTV)

Surroi në tekstin e tij, “KTV, rrëfimi i Davidit” për monografinë e jubileut, shkruan se bëhet fjalë për një çerekshekulli sfidues, frytdhënës e të vështirë.

“Ndërkohë që KTV ishte pjesë e rëndësishme e transformimit të Kosovës duke i shërbyer me shtyllën e vet vertikale të pavarësisë”, shkruan Surroi. Përmend se e tashmja është kohë e revolucionit informativ, algoritmeve dhe periudhë historike e pakodifikuar me ligje e institucione sa i përket kësaj pjese.

“KOHA dhe KTV, sinonimet e informatës së besueshme serish janë në pozitën e Davidit që hynë në luftë të pabarabartë me Goliatin e padijes, informatës gjysmake e tendencioze, të interesave politike e ekonomike që përdorin algoritmet dhe mediet sociale për të cunguar demokracinë në shtyllën e saj parësore, të drejtën e informimit e të vendimit në saje të informatës së pacunguar”, shkruan ai.

Brikenda Rexhepi: “Gazetën, televizionin e portalin tonë i shoh si një. Si një ide, si një parim, si një vlerë të cilën ne e festojmë sot. Jo veç si KOHË por si shoqëri e Kosovës që padyshim për të mirën tonë duhet ta mbajmë e mirëmbajmë” (Foto: KTV)

“KTV-ja kurrë nuk ishte vetëm një televizion...”

Informatat e sakta, konfirmimi i lajmit e trajtimi me seriozitet mbesin shtyllë e KTV-së dhe krejt platformave informative të Grupit KOHA. Por roli i kësaj shtëpie mediatike, s’ndalet me kaq. Edukimi i gjeneratave është tjetër dimension. Sot, thuajse në krejt mediat e vendit gjenden drejtues, redaktorë, gazetarë, e punonjës të sektorëve të tjerë mediatik që kanë kaluar nëpër platformat e KOHËS.

“KTV-ja kurrë nuk ishte vetëm një televizion. Përherë ka qenë një shkollë, shtëpi, një familje e madhe. Një vend ku të rinjtë e mësuan se gazetaria nuk është vetëm ta transmetosh lajmin, por ta mbrosh të vërtetën, edhe kur ajo kushton. Ishte vendi ku e kuptuan se ekrani nuk ka vlerë nëse pas tij nuk qëndron integriteti”, thotë drejtoresha e menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi.

Mimoza Koprani-Muçaj: “Si studente e vitit të parë mora dy lajme të mëdha. U pranova në punë e po ashtu më është treguar se do të udhëtoj për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një trajnim profesional. Ishte diçka e pabesueshme për mua në atë kohë” (Foto: KTV)

Para të pranishmëve në ceremoni ka përmendur se gjatë këtyre 25 vjetëve sfidat qenë të shumta me teknologjinë që ndryshon, konkurrencën jolojale, e presionet politike që kurrë nuk kanë munguar.

“Por, qëndruam dhe do të qëndrojmë për shkak se janë së paku tri gjëra që nuk i kemi humbur kurrë: pavarësinë, besueshmërinë dhe profesionalizmin”, thotë ajo. “Pavarësinë, sepse pa të nuk ka gazetari të njëmendtë. Besueshmërinë, sepse ajo është arsyeja se pse publiku na përcjell. Profesionalizmin, sepse ai është standardi ynë i përditshëm, i fituar me shumë punë, mund, dhe jo rrallë, shumë sakrifica bile edhe personale”, shton ajo. Parashikon se çerekshekulli i radhës nuk e beson se do të jetë i lehtë.

“Problemet politike e ekonomike, propaganda, lajmet e rreme, joprofesionalizmi dhe armiqtë e njohur dhe të panjohur të kësaj shoqërie, e që shfaqen përditë, do të vazhdojnë të jenë aty. E përgjigjja e KOHËS përherë do të jetë po kjo e njëjta dhe e pandryshueshmja: do të luftojmë dhe do ta mbrojmë gazetarinë e lirë e të pavarur; do të informojmë me integritet dhe do të jemi aty ku publiku ka nevojë për ne. Dhe ky mision na mban gjallë edhe në ditët më të vështira”, thotë Surroi.

Orhan Kerkezi: “Njeriu nganjëherë nuk di nga t’ia fillojë sepse historia është tepër e madhe. Një histori në të cilën ti je në të. Dhe, historia jonë ka qenë gjithsesi më origjinalja që ka munduar ta përjetojë vendi ynë” (Foto: Driton Paçarada)

Në media e sidomos në televizion s’ka ditë të lehta. Është njëfarë armate që ngjan me aksionet ushtarake, por në këtë rast në kërkim, filtrim e emetim të lajmit. Në 24 orë, kanali nuk pushon. Rëndom dita nis me mbledhje të mëngjesit ku vendoset për projektimin e ditës së punës në mënyrë që ekipet të mbulojnë ngjarje, të sjellin hulumtime, të përgatiten për transmetim dhe kanali të jetë në shërbim të shikuesve.

“Si një ide, si një parim, si një vlerë...”

Për vjet me radhë KTV-ja ka funksionuar në hapësira tejet të ngushta. Drejtori tashmë i ndjerë i televizionit, Lekë Zherka para gati dy dekadash tregonte se hapësira ishte e mjaftueshme në kohën kur është hapur KTV-ja.

“Por tash kjo hapësirë është bërë thuajse e pamjaftueshme për të realizuar krejt gjërat që realizon KTV-ja”, thotë ai më 2009. Pamjet e xhiruara nga Arben Llapashtica shpërfaqin labirintet e ngushta të asaj kohe. Por del në pah edhe një zell i madh për punë.

Orhan Kerkezi është prej njerëzve që ka konceptuar shumëçka në KTV. Historia e këtij televizioni njashtu sikurse historia e Kosovës për të janë të veçanta.

“Njeriu nganjëherë nuk din nga t’ia fillojë sepse historia është tepër e madhe. Një histori në të cilën ti je në të. Dhe, historia jonë ka qenë gjithsesi më origjinalja që ka munduar ta përjetojë vendi jonë”, thotë ai. Emisioni i mëngjesit, lajmet, emisioni kulturës “Express” dhe shumë prodhime të tjera mediatike përgatiteshin në ambiente të ngushta. Por saktësia e profesionalizmi rrumbullakosnin gjithçka, njashtu sikurse edhe sot.

“Gazetën, televizionin e portalin tonë i shoh si një. Si një ide, si një parim, si një vlerë të cilën ne e festojmë sot. Jo veç si KOHË por si shoqëri e Kosovës që padyshim për të mirën tonë duhet ta mbajmë e mirëmbajmë”, thotë Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e Grupit KOHA. Në tekstin për monografinë, Rexhepi ka shkruar se “në këto 25 vjet të KTV-së, nuk janë vetëm vitet që kanë rëndësi, por fakti se KOHA ka mbetur besnike ndaj konceptit që e themeloi”.

Linda Shala: “E bukura e krejt kësaj ishte se vinte një televizion i ri, avangardë që me të vërtetë ka sjell një freski të jashtëzakonshme dhe në të cilin jemi dashuruar të gjithë. Edhe ne që kemi punuar me media të tjera”

“Dhe kjo është arsyeja pse, edhe sot, në momentet më të rëndësishme për Kosovën – zgjedhje, kriza apo situata të pasigurta – publiku të vërtetën e kërkon dhe e gjen te ne”, ka shkruar ajo.

Publiku përgjatë këtyre vite në kohë reale është informuar për krejt zhvillimet. Ngjyrat e Kosovës kanë hyrë nëpër shtëpitë e banorëve të saj nëpërmjet kamerave të KTV-së. Ky institucion do të thyente trendin e disa dekadave kur shoqëria ishte mësuar vetëm me televizion publik.

“Një element shumë i rëndësishëm i demokracisë është sigurisht edhe pluralizmi medial dhe pas Televizionit të Kosovës i cili ka startuar pas luftës së fundit në Kosovës, fillimi i Kohavisionit ka qenë një emocion i veçantë posaçërisht për ne që jemi rritur në një shtet ku televizionet kanë qenë vetëm publike”, thotë Linda Shala, dikur këshilltare programore në KTV. Për të themelimi i KTV-së qe moment historik.

“E bukura e krejt kësaj ishte se vinte një televizion i ri, avangardë që me të vërtetë ka sjell një freski të jashtëzakonshme dhe në të cilin jemi dashuruar të gjithë. Edhe ne që kemi punuar me media të tjera”, thotë ajo.

Emisionet e shumta thyenin rutinën e kohës. Kultura, arsimi, ekonomia e sfera të tjera shpërfaqeshin para publikut nëpërmjet reportazheve, debateve e çka jo tjetër.

Të mbledhur në një ambient të veçantë në periferi të kryeqytetit, ish-punonjës, stafi aktual e shumë mysafirë festuan këtë jubile. Ansambli vokal “Zanat” nën shoqërimin e pianistes Pranvera Hoxha, kanë sjellë këngët e trashëgimisë muzikore të këtyre anëve, bashkë me atmosferën shumëngjyrëshe festive (Foto: Driton Paçarada)

KTV-ja sillte skaj më skaj vendit atmosferë nga koncerte, ekspozita e aktivitete të shumta. Bënte punë për të emancipuar shumëkënd dhe krejt kjo donte shumë përkushtim. Debatet e shumta, intervistat e raportimet ekskluzive kanë zënë vend në ekranin e kësaj platforme mediatike.

“Është një çerekshekshekulli i një pune në një situatë jo të zakonshme, pra duke qenë një televizion i pasluftës ku shumëkush e ka mësuar gazetarinë televizive duke u punësuar në televizion, shumica e stafit pa ndonjë përvojë të madhe gazetarie. Kështu që është një televizion që i ka qëndruar kohës dhe do të mbetet në histori të mediave kosovare që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm”, thotë Adriatik Kelmendi ish-kryeredaktor e autor i emisionit “Rubikon”.

Tash emisioni debatues “Konfront” udhëhiqet prej Mimoza Koprani-Muçajt. Ka punuar si gazetare, redaktore e edhe kryeredaktore e KTV-së. Ka kujtuar ditën e dy lajmeve të mëdha për të.

“Si studente e vitit të parë mora dy lajme të mëdha. U pranova në punë e po ashtu më është treguar se do të udhëtoj për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një trajnim profesional. Ishte diçka e pabesueshme për mua në atë kohë”, thotë ajo derisa përshkruan kohën e para një çerekshekulli. Është një histori e gjatë. Secila ditë ka prodhuar lajme të shumta. Aso të përparimit të vendit, të ngecjes në shumë fusha e reportazhe me qytetarët që prekin jetën e këtij vendi në përditshmëri.

Profesionalizmi e pavarësia mbeten udhërrëfime, përderisa festa e çerekshekullit ka zgjuar nostalgjinë për ditët e para të funksionit të një televizioni të pavarur, të besueshëm e me vizion në Kosovë – si Kohavisioni (Foto: Driton Paçarada)

“Lajmet e mbrëmjes”, “Programi fluturues i mëngjesit”, “Express”, “Një moto për foto”, “Çka ka 3”, “Hajt pak” e shumë prodhime të tjera të skenës programore të KTV-së në 25 vjet kanë bërë dokumentimin vizual të zhvillimit të Kosovës.

Grupi KOHA tash numëron 150 të punësuar në krejt platformat e informimit. Në baza ditore ofrohen informacione nga politika, ekonomia, siguria, kultura e zhvillime në botë. Profesionalizmi e pavarësia mbeten udhërrëfime, përderisa festa e çerekshekullit ka zgjuar nostalgjinë për ditët e para të funksionit të një televizioni të pavarur, të besueshëm e me vizion në Kosovë – si Kohavisioni.

Në ditët e sotme është periudhë e një lufte të re: asaj kundër dezinformimit.

“KOHA është e rëndësishme dhe është edhe më e rëndësishme në kohën gjithsecili po ballafaqohet me lajmeve të rreme. Kështu që na duhen media të pavarura e serioze dhe KOHA ka rol të madh”, thotë ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

Grupi KOHA s’heq dorë nga pavarësia, profesionalizmi e besueshmëria. Janë trinomi i një media të njëmendë. Aso që i reziston kohës.