Politologu Melazim Koci ka vlerësuar se pa një marrëveshje të madhe mes partive është zor që Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri shpejt. Madje sipas tij, Vetëvendosje nuk mund t’i sigurojë numrat as nëse bashkëpunon me ndonjërën prej partive opozitare shqiptare.
Në “Konfront” të KTV-së, Koci ka deklaruar se edhe në rast marrëveshjeje asnjëra prej dy partive më të mëdha opozitare, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, nuk i kanë votat për president për shkak të “përçarjeve të brendshme”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“E shoh të pamundshme zgjedhjen e presidentit. Shifrat e tregojnë qartë. Qeveria do të bëhet lehtë nga VV-ja. Konstituimi i Kuvendit gjithashtu, por zgjedhja e presidentit gjasat janë shumë të vogla. Nuk kanë numra me AAK-në. Dëgjuam për kontaktet e LDK-së, por as LDK-ja nuk ka numra, plus që këta të 18 deputetët nuk janë të sigurt. As PDK-ja pas reagimit të zotit Lushtaku nuk i ka numrat për çështjen e presidentit”, ka thënë ai tek ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Vetëvendosje sipas rezultateve të deritashme ka fituar 53 ulëse. PDK-ja ka marrë 22, LDK-ja 18 e AAK-ja 7. Për president duhen 80 deputetë të qëndrojnë në dy rundet e para të votimit.
“Poenta është që PDK-ja dhe LDK-ja kanë betejë të brendshme. Kanë çarje të brendshme. Është e heshtur, por kur vjen votimi i presidentit do të shpërfaqet. Ndoshta edhe më herët”, ka thënë ai.
Për deklaratën e kryetarit të degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtaku, se do të dorëhiqet nga partia nëse arrihet marrëveshje me VV-në, Koci ka thënë se ka deputetë që i shkojnë pas fjalëve të tij. Kjo dhe çarjet e partive, sipas tij, detyrojnë Kuvendin për marrëveshje të gjerë.
“Ka deputetë që edhe pa u kërkuar zoti Lishtaku votojnë sipas bindjes së tij. S’mendoj se do të mund të zgjidhet presidenti me çfarëdo marrëveshje. E vetmja mundësi është marrëveshje e madhe mes të gjithëve që e shoh shumë të vështirë. Gati të pamundur. Duke e parë skenën tonë e duke e ditur si funksionon e shoh shumë të vështirë për marrëveshje të madhe për dalje nga kriza”, ka thënë ai.